Punonjësi i burgut vret veten për borxhet e kumarit
TIRANË- Harxhon në poker rrogën, vret veten 44-vjeçari. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme kur Përparim Gjyshja vrau veten me pushkë në banesën e tij, që ndodhet në rrugën ”Jordan Misja” në Tiranë. Kanë qenë familjarët e tij, të cilët pasi konstatuan trupin e pajetë të 44-vjeçarit lajmëruan menjëherë policinë. Në vendin e ngjarjes mbërritën oficerët e policisë së komisariatit nr.3, si dhe specialistët e seksionit kundër krimit ndaj jetës dhe shëndetit, me qëllim zbardhjen e rrethanave të vetëflijimit. Grupi hetimor mori në pyetje familjarët e të ndjerit për të zbuluar shkaqet që e detyruan atë të vetëvritej. Burime nga policia thanë se Përparim Gjyshja ishte punonjës social pranë burgut të Vaqarrit. Prej kohësh mësohet se ai ishte klient i rregullt në lojërat e fatit, lojë e cila e kishte futur atë në borxhe. Ditën e djeshme, mësohet se ai kishte marrë rrogën, të cilën e kishte konsumuar të gjithën në një lokal lojërash fati. Në mbrëmje ishte kthyer në banesën e tij duke mos dorëzuar para. Ndërkohë që mëngjesin e djeshëm, ai ka marrë një pushkë dhe në momentin që nuk ndodhej njeri në dhomë ai ka qëlluar veten duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Burime nga policia thanë se sipas familjarëve të tij 44-vjeçari kishte marrë para borxh dhe nuk kishte mundësi të shlyente gjë e cila dyshohet të ketë qenë edhe motivi që ka rënduar gjendjen psikologjike të tij duke e çuar të vetëvrasje. Megjithatë burimet policore shtuan se po punohet për të zbardhur me saktësi motivin që detyroi punonjësin e burgut të ndërmarrë aktin fatal. Policia sekuestroi në vendin e ngjarjes armën tip-pushkë me të cilën vrau veten 44-vjeçari, ndërsa trupi i tij u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme dhe më pas iu dorëzua familjarëve.