Adoleshenti vret fëmijën me makinën e babait
Dy aksidente automobilistike, njëri me pasojë vdekjen e një 13-vjeçari, ka ndodhur dje në Përmet dhe Fushë-Krujë. Ka qenë ora 18.00 e së martës, kur në rrugën rurale që lidh Komunën Sukë me qytetin e Këlcyrës, një automjet tip "Tojota" që drejtohej nga 17-vjeçari Blerim Meraj ka përplasur 13-vjeçarin Besmir Kasaj, i cili lëvizte me biçikletë. Fëmija ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që mësohet se autori i aksidentit ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendngjarja. Vetëm pak orë më pas ai është gjetur i fshehur në banesën e vet dhe është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Përmetit. Mësohet se automjeti me të cilin ka ndodhur aksidenti ka qenë i babait të 17-vjeçarit, i cili e kishte blerë para disa ditësh dhe ishte duke i bërë dokumentet për ta pajisur me targa dhe e mbante mbyllur në banesë. Adoleshenti e ka marrë automjetin pa lejen e babait dhe po lëvizte nga Suka për në Këlcyrë. Ndërkohë, po dje, në aksin Fushë-Krujë - Lezhë ka ndodhur një aksident rrugor, si pasojë e të cilit janë plagosur dy persona. Policia lokale njoftoi se aksidenti ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur një motoçikletë që lëvizte nga Lezha në drejtim të Tiranës i ka prerë rrugën një automjeti tip "Volkswagen Golf" me targa LE4698A. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit e mjeteve, të cilët janë transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, ku ndodhen në gjendje të rëndë.