E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale për dy mashtrues

Dy persona të dyshuar për mashtrim kanë përfunduar për ndjekje penale në prokurori, ndërkohë që policia po punon për dokumentimin e plotë të këtyre dosjeve. Një nga rastet ka të bëjë me një grua që ka marrë një shumë parash për biznes dhe nuk i ka kthyer më, ndërkohë që rasti tjetër ka të bëjë me një person që ka mashtruar për pension. Sipas të dhënave policore, u dërguan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në gjendje të lirë, në ngarkim të shtetases F. C., 50 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë. Ndaj saj është depozituar kallëzim penal nga një shtetase, e cila ka deklaruar se 50-vjeçarja i ka vjedhur me anë të mashtrimit shumën e parave prej 14 500 eurosh për një afat 6-mujor, për të zgjeruar biznesin e saj dhe më pas nuk ia ka kthyer më. Veç këtij rasti, policia deklaroi se u dërguan materialet nga seksioni kundër krimit ekonomik financiar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në gjendje të lirë, për veprën penale të mashtrimit edhe ndaj shtetasit K. S., 45 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Ndaj tij është depozituar kallëzim penal nga Drejtoria Rajonale e Sigurime Shoqërore Tiranë, ku dyshohet se shtetasi ka përfituar pension suplementar në mënyrë të paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›