Bulqizë, nis shpërngulja nga zona e prekur prej tërmetit
Tmerri që shkaktoi tërmeti i së dielës së 6 shtatorit, me epiqendër në fshatin Gjoricë të rrethit të Bulqizës, ende vazhdon të përjetohet nga banorët. Kjo, për faktin se edhe pas dhjetë ditësh nga rënia e tij, për çdo ditë kanë vazhduar lëkundje të tjera të tokës, edhe pse me intensitet më të dobët. Kështu, qindra banorë të zonave të prekura nga tërmeti i 6 shtatorit vazhdojnë t‘i kalojnë netët jashtë, pasi Ministria e Brendshme nuk i ka dërguar ende çadrat familjare që ata prej ditësh kanë kërkuar. Banorët e fshatrave të komunave të Gjoricës, Shupenzës, Zerqanit, Ostrenit, nuk mund të hyjnë në banesat e plasaritura, pasi u tremben lëkundjeve të mundshme të tërmetit, ndërsa disa prej tyre kanë vendosur të largohen drejt të afërmve në fshatra dhe qytete të tjera. "Jam e detyruar të largohem nga shtëpia për të shkuar te të afërmit e mi në qytetin e Bulqizës, së bashku me tre fëmijët dhe nusen e djalit që sapo ka lindur, - thotë H. Lica, 53 vjeç, nga fshati Çerenec i Komunës Gjoricë, - pasi shtëpia më është shkatërruar dhe fëmijët kanë frikë të banojnë në të". Edhe pse nga komuna janë ngritur disa çadra për strehimin e banorëve, shumë prej tyre kanë vendosur të mos qëndrojnë aty për shkak të mungesës së ujit, dritave, banjave dhe mbi të gjitha për të mos braktisur banesat, pasi aty kanë edhe bagëtitë. Shumë nga banorët e prekur prej tërmetit qëndrojnë në oborret e shtëpive, të mbuluar me plastmasë edhe në rastet kur bie shi. Ata thonë se nuk u është ofruar asnjë ndihmë deri më tani. Prej 11 ditësh banorët vazhdojnë të qëndrojnë në qiell të hapur, me frikën se lëkundje të tjera të tokës mund të sjellin jo vetëm dëme materiale, por edhe të lënduar në njerëz. Dhe lëkundjet e tjera të tokës gjatë këtyre ditëve pas rënies së tërmetit të së dielës më 6 shtator nuk kanë munguar për asnjë ditë. Kështu, vetëm rreth orëve të para të ditës së djeshme janë regjistruar tri lëkundje të lehta toke, në orën 05.45 minuta, 06.20 minuta dhe 10.05 minuta. Këto tërmete, edhe pse nuk kanë shkaktuar dëme, e kanë rritur ndjeshëm panikun te banorët e zonës, duke i bërë ata edhe më të vendosur në kërkim të çadrave familjare. Ndërkohë, të gjitha komunat e dëmtuara nga tërmeti kanë bërë kërkesë për çadra, e vetmja ndihmë për momentin që mund t‘u jepet banorëve të tyre, por deri tani vetëm rreth 50 për qind e kërkesave të banorëve për çadra janë plotësuar nga ana e Ministrisë së Brendshme.