Sherr në oborrin e shkollës, plagoset me thikë 14-vjeçari
Sherri mes dy bashkëmoshatarëve ka përfunduar me plagosjen e një 14-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme në ambientet e një shkolle në kryeqytet, kur adoleshentët po kryenin pushimin mes orëve të mësimit. Sipas të dhënave të policisë, nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur me thikë E. Plepi, ndërkohë që është shoqëruar R. Elezi. Burimet zyrtare bënë të ditur se rreth orës 10.30 shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë morën informacion se në oborrin e shkollës 8-vjeçare "Bajram Curri" në Tiranë ka ndodhur një konflikt mes dy 14-vjeçarëve. Menjëherë për në vendin e ngjarjes shkoi grupi i posaçëm hetimor i formuar për të sqaruar më tej rrethanat e motivet e kësaj ngjarjeje. U konkludua se 14-vjeçari E. Plepi është goditur me armë të ftohtë thikë në oborrin e shkollës "Bajram Curri", nga bashkëmoshatari i tij me R. Elezi. Autori u kap menjëherë nga shërbimet e Komisariatit Nr. 4 dhe u mor në pyetje në prani të prindërve, psikologes dhe mësuesit. I plagosuri Plepi u dërgua menjëherë në spital dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e stafit mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Paraprakisht dyshohet se kjo ngjarje ka nisur nga dy bashkëmoshatarët 14-vjeçarë, pasi janë shtyrë në oborrin e shkollës për të zënë vendin e të fortit në grupin e shokëve. Por, policia theksoi se prania e sendeve si thika apo mjete mprehëse, që mund të mbajnë nxënësit e shkollave, mbetet një shqetësim për Policinë e Tiranës, si edhe Drejtorisë Arsimore Tiranë, të cilët në bashkëpunim do të punojnë për të hartuar plane masash, me synim për të eliminuar këto ngjarje brenda ambienteve arsimore. Po ashtu, për mbarëvajtjen e këtij procesi mësimor, Policia e Tiranës do të angazhojë pranë objekteve shkollore, punonjës policie, të cilët do të marrin disa masa. Kështu, ata do të mbajnë kontakte me drejtuesit e shkollave dhe shërbimin e sigurisë së shkollave që kanë në territorin e tyre dhe bashkëpunojnë me Drejtorinë Arsimore, me qëllim mosmbajtjen e nxënësve të sendeve të palejueshme në ambientet shkollore. Gjithashtu, nuk do të lejojnë hyrjen e personave të tjerë, në ambientet e shkollave, të cilët prishin rendin e qetësinë publike dhe do të mbajnë kontakte të vazhdueshme me personelin mësimdhënës, në drejtim të evidentimit të nxënësve problematikë. Veç këtyre masave, policia tha se punonjësit e saj do të bashkëpunojnë me rojet private të shkollave, për të mos lejuar parkimin e automjeteve apo shitësve ambulantë pranë objekteve shkollore, me qëllim parandalimin e aksidenteve apo shkeljeve të tjera të ligjit.