E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pinari në prokurori nuk foli për arsyet e shpërthimit

Gërdeci çfarë tha në dy dëshmitë që ka dhënë ish-drejtori i MEICO-s para OPGJ-ve

Ish-drejtori i kompanisë MEICO, Ylli Pinari, një nga katër personat që ndodhen në burg si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ka dëshmuar dy herë në prokurori në lidhje me ngjarjen e 15 marsit 2008. Ndryshe nga deklarata e fundit, se prokuroria nuk ka hetuar të gjitha pistat e mundshme për tragjedinë, në dëshmitë para oficerëve të policisë gjyqësore ai nuk ka përmendur asnjëherë dyshimet se shpërthimi i punishtes së demontimit mund të ishte si pasojë e një akti të qëllimshëm dhe jo të aksidentit, siç e ka vlerësuar organi i akuzës në kërkesën për gjykim. Gazeta “Shqip” ka siguruar dëshmitë e Pinarit dhënë para prokurorisë dhe në to ka shpjeguar mënyrën e funksionimit të MEICO-s dhe në asnjë rresht nuk ka folur për shkaqet që shkaktuan zjarrin në fabrikë. Ylli Pinari do të deklaronte se nuk mbante përgjegjësi për sigurinë në fabrikë, pasi, siç thotë edhe vetë, nuk ka zbatuar një urdhër të ministrit të Mbrojtjes për sigurinë e fabrikës. Sipas tij, ndërmarrja MEICO nuk ishte një kompani shtetërore dhe si e tillë nuk mund të mbante përgjegjësi për sigurinë në fabrikë.

Dëshmia e parë

Në datën 16 mars 2008, një ditë pas tragjedisë së Gërdecit, Ylli Pinari është paraqitur pranë Prokurorisë së Tiranës, ku dhe ka dhënë një deklaratë. Në këtë deklaratë, Pinari ka shpjeguar në mënyrë të përgjithshme se si filloi projekti i demontimit në Gërdec, deri te shpërthimi i fabrikës. Ndërkohë, dy ditë pas kësaj dëshmie, ai do të arrestohej në zyrën e tij, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, e cila nisi hetimet për ngjarjen e rëndë. Në këtë deklaratë, ish-shefi i MEICO-s shpjegoi funksionimin e ndërmarrjes së tij. Tha se kishte rreth 25 punonjës, përfshirë dhe punëtorët e ngarkim-shkarkimit me kontrata afatgjata dhe afatshkurtra, sipas nevojës. Ai do të deklaronte se në të gjitha rastet, shitja apo blerja e armëve dhe municioneve bëhet me urdhër të posaçëm të ministrit të Mbrojtjes për nevojat e ushtrisë, të cilat dalin sipas rastit. “Unë kam qenë drejtor në këtë firmë në vitet ‘91-‘92 dhe pastaj jam liruar. Jam rikthyer në vitin 2000 në pozicionin e drejtorit të Përgjithshëm të ndërmarrjes MEICO, me gradën ‘Major. Si procedurë, mallrat na dorëzohen në aeroporte ose porte, por paraprakisht, para se të lidhet kontrata me blerësit, ne kërkojmë nga Komisioni i çmimeve pranë Ministrisë së Mbrojtjes çmimet përkatëse”, deklaronte Pinari. Duke shpjeguar rastin konkret, Ylli Pinari tha se përfaqësuesi i firmës, “Southern Ammunition”, Patrik Henri, ka bërë kërkesë për blerjen e municioneve për t’i demontuar në SHBA fillimisht. “Ai në vitin 2006 ka ardhur në Shqipëri, ku ka inspektuar fishekët me gëzhojë tunxhi. Pas disa kërkesave të bëra nga ana e tij, të cilave nuk u është përgjigjur pozitivisht, ka bërë një kërkesë për demontimin e sasive të mëdha të municionit në vendin tonë. Kjo kërkesë i është paraqitur ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm me anë të një memo-je të datës 5 korrik 2006”, pohonte Pinari, duke deklaruar se Henri i është drejtuar personalisht edhe ministrit të Mbrojtjes. Pas daljes së urdhrit nr.550 të ministrit për firmën “Southern Ammunition”, është lidhur kontrata nga Pinari me vlerë maksimale prej 1 milion e 611 mijë e 200 dollarësh amerikanë. Në lidhje me vendin ku do të operonte kompania amerikane, u panë disa vende apo reparte të ndryshme dhe përfundimisht u vendos për repartin e Gërdecit. Ky vend është specifikuar edhe në urdhrin e ministrit. “Në lidhje me ngjarjen e Gërdecit, atë ditë unë kam qenë në një panair në Gjermani, së bashku me tre punonjës të tjerë të ndërmarrjes MEICO. Jam njoftuar nga komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, rreth orës 12 të paradites, për shpërthime të mëdha në Gërdec. Mora në telefon Dritan Minxollin, i cili ishte duke qarë. Ai më tha që po ndodhte një katastrofë. Më mori në telefon dhe Patrik Henri, që më kërkoi një konfirmim të asaj që kishte ndodhur. Jam njoftuar nga zyra ime se kishte vajtur prokuroria atje dhe kërkonte dokumentacionin. I thashë që t’u jepnin çdo gjë që do kërkonin. Pastaj kam komunikuar me ministrin dhe me të tjerë”, përfundonte dëshmia e parë e Pinarit, i cili u është përgjigjur disa pyetjeve të akuzës.

Dëshmia e dytë

Gjatë kohës që është arrestuar, Ylli Pinari ka pasur mundësi të tregonte detaje nga ngjarja e Gërdecit. Atë e kanë vizituar oficerët e policisë gjyqësore, të cilët plotësuan dëshminë e parë. Në deklarimin e dytë ai do të pohonte se kishte zgjedhur të mos zbatonte urdhrin e ministrit të Mbrojtjes për standardet e sigurisë së demontimit në Gërdec. Megjithatë, si nuk e ka njoftuar ministrin, qoftë me shkresë apo verbalisht, për moszbatimin e një urdhri. Pyetjes nëse ishte në dijeni të urdhrit nr.2044, datë 07.12.2007 të ministrit të Mbrojtjes për kalim municioni ndërmarrjes MEICO, ku në pikën 8 ndërmarrja MEICO është caktuar që të përgjigjet për ruajtjen e standardeve të sigurisë, ai tha se është në dijeni dhe kjo pikë nuk përputhej me detyrat funksionale të kësaj ndërmarrjeje. “Duke qenë ushtarak, unë mund të mbaj përgjegjësi pse nuk kam zbatuar një urdhër, qoftë ky dhe i kundërligjshëm, por nuk mund të mbaj përgjegjësi për pasojat e këtij urdhri. MEICO është një ndërmarrje tregtare komisionere, që absolutisht nuk ka në strukturën e saj forca ushtarake, të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e kësaj pike të urdhrit”, do të deklaronte Pinari, i cili është pyetur edhe për pikën 9 të këtij urdhri, ku thuhej se ndërmarrja MEICO ishte caktuar që të ruante rajonin e Gërdecit dhe depove të municionit. Ai tha se ndërmarrja që drejtonte nuk mund të ruante një punishte demontimi, ndërsa deklaroi, duke marrë si shembull magazinat në Memaj, Durrës, se në këtë rast ajo ruhej nga Forcat e Armatosura.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›