E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni Graniti, eurot e falsifikuara, me disa elementë sigurie

Hetimet Prokuroria: 34 mijë eurot e sekuestruara janë me shenja sigurie. Gjysma tjetër janë fotokopjim cilësor

Grupi i falsifikatorëve të eurove, që janë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Graniti”, arriti që të shpërndante në tregun shqiptar kartëmonedha cilësore. Burime nga prokuroria e Tiranës thanë për gazetën se gjysma e eurove të falsifikuara, pra 34 mijë euro, ishin me disa elementë sigurie, duke i bërë të besueshme në duart e qytetarëve. Kartëmonedhat kishin disa elementë sigurie, si dhe numrat e serisë. Sipas ekspertëve të prokurorisë, gjendja e tyre ishte shumë e mirë. “Pas arrestimit të 14 personave, puna e grupit hetimor po përqendrohet për të gjetur mënyrën e falsifikimit të këtyre personave. Natyrisht po bashkëpunojmë me policinë, si dhe me drejtësinë maqedonase, pasi besojmë se edhe fabrika nga ku dilnin këto kartëmonedha është në vendin fqinj”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, një tjetër procedurë që ndiqet në të tilla raste është edhe ekspertimi i eurove të falsifikuara për të parë ngjashmëritë me ato origjinale. Në prokurori kanë mbërritur të dhënat e para dhe ka rezultuar se gjysma e eurove që janë kapur kishin disa elementë sigurie, ndërsa “gabimi” i falsifikatorëve ishin numrat e serisë. Shumë nga eurot kishin të njëjtët numra, duke e bërë të lehtë evidentimin e tyre. Ndërkohë, gjysma e eurove të tjera, rreth 35 mijë, që janë sekuestruar, dyshohet se janë një fotokopjim cilësor i eurove origjinale. “Kemi dyshime se gjysma e kartëmonedhave që kemi sekuestruar janë një fotokopjim me pajisje të mira. Nga marrja e informacioneve me teknikat e hetimit ka rezultuar se këto të holla vinin nga jashtë shtetit dhe shpërndaheshin në Shqipëri, duke parë edhe qarkullimin e madh të valutave të huaja në Shqipëri para sezonit veror”, thanë burimet nga njësia hetimor Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës.
Ndërkohë, dy ditë më parë është arrestuar anëtari i 14-të i grupit të falsifikatorëve “Graniti”. Në pranga ra Hazir Maçi, i cili akuzohet për shpërndarje kartëmonedhash false të prerjes 100 euro. Maçi u prangos në sheshin pas hotel “Tiranës”, në vendin ku policia pohon se kryente aktivitetin e vet të shpërndarjes së eurove false. Burime nga hetimi pohojnë se Maçi ua shiste eurot false kosovarëve, të cilët udhëtonin me autobusët që stacionin e kanë në sheshin midis Muzeut Kombëtar dhe hotel “Tiranës”. Pas arrestimit të Maçit, numri i të prangosurve në operacionin “Granit” arrin në 14 vetë, ndërkohë që burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se priten të tjera arrestime, pasi ka ende persona të tjerë që dyshohen të jenë bashkëpunëtorët e të arrestuarve. Hetimet kanë nxjerrë se një pjesë e të arrestuarve kanë precedentë të mëparshëm penalë në fushën e falsifikimit të monedhave, apo dhe në kryerjen e veprave të tjera penale. Kështu, i arrestuari Nuredin Bishani, nga qyteti i Fierit, ka vuajtur dy vjet më parë një dënim për falsifikim dokumentesh në kryeqytet, ndërsa pak kohë më parë është liruar nga burgu. Pritet që gjatë ditës së sotme këta persona do të dërgohen në Gjykatën e Tiranës, ku do t’u caktohet masa e sigurisë nën akuzat e “falsifikimit të kartëmonedhave” dhe “shpërndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara”, të kryera në bashkëpunim. Grupi akuzohet pasi po sillte nga Maqedonia në Tiranë një sasi prej 70 mijë eurosh të prerjes 100 euro, të falsifikuara.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›