Adresat e reja, Bashkia përfundon numërimin e banesave
Përfundon procesi i numërimit dhe emërtimit të rrugëve në kryeqytet. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se tashmë përfundoi dhe faza e dytë e projektit të adresarit, ku janë regjistruar dhe emërtuar të gjitha zonat dhe ndërtesat e kryeqytetit. Tashmë ky proces është në fazën e verifikimit në terren nga specialistët e njësive vendore, të cilët do të japin rezultatet përfundimtare të këtij procesi. Pritet që regjistrat e Gjendjes Civile do të jenë të plotë duke i shtuar edhe të dhënat për apartamentet apo banesat ku jetojnë. Çdo qytetar do të figurojë me adresë të saktë të shtëpisë në të gjitha njësitë bashkiake. Kështu, të gjithë qytetarët do të kenë një “dosje” të me të dhënat e tyre, duke ndihmuar për mënyrat e kontaktit për çfarëdolloj situate që mund të krijohet. Aktualisht, specialistët e Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me njësitë bashkiake, kanë përfunduar identifikimin e të gjitha rrugëve të kryeqytetit dhe identifikimin e çdo banese dhe e çdo pallati që ndodhet në një lagje të kryeqytetit. Aktualisht ka përfunduar puna për emërtimin e të gjitha rrugëve dhe shesheve në qytetin e Tiranës, duke përmbyllur fazën e parë të projektit të Adresarit. Së shpejti, këto emërtime do të jenë të hedhura edhe në sistemin GIS, në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, ku çdo qytetar do të ketë mundësi të futet pa pagesë. Ndërkohë, ka përfunduar edhe faza e numërimit të godinave, që është edhe hapi i fundit drejt krijimit të Adresarit të Tiranës ku çdo godinë do të ketë për referencë një emër rruge në të cilën ndodhet, si dhe një numër të godinës dhe shkallës. Projekti zhvillohet në bashkëpunim me njësitë bashkiake dhe janë mbi 1000 emra rrugësh që figurojnë në Adresar, nga të cilat 840 janë emra të rinj. Me përfundimin e Adresarit, do të bëhet vijohet plotësimi i regjistrave të gjendjes civile, të cilat do të përshtaten me adresat e reja. Me identifikimin e të gjitha banesave dhe plotësimin e detajuar me të dhënat për çdo person, të cilat do të jenë të dokumentuara në gjendjet civile në njësitë bashkiake përkatëse, do të zgjidhen një sërë problemesh me të cilat qytetarët hasen çdo ditë. Vetëm pak muaj më parë është bërë dixhitalizimi i këtij shërbimi, ku tashmë është më e lehtë të bëhet verifikimi i të gjithë personave.
19 Mars 2009