E Diel, 1 Nëntor 2026

BB–ja jep 5 milionë dollarë për sistemin e pensioneve në Shqipëri



Banka Botërore aprovoi fondin shtesë prej 5 milionë dollarësh amerikanë për financimin e projekteve të Shërbimeve Sociale në Shqipëri. Bordi i drejtuesve të Bankës Botërore miratoi dje huanë, e cila kompleton kreditin fillestar prej 10 milionë dollarësh që kjo Bankë ka dhënë më parë. Kredia do të përdoret për vazhdimin e projekteve që kanë lidhje me reformën në administratë për sistemin e pensioneve në Shqipëri. Ky financim shtesë ka për qëllim realizimin e një sistemi pensionesh më efektivë dhe më eficientë, duke përmirësuar sistemin administrativ të pensioneve, forcimin e mbështetjes institucionale dhe përmirësimin e njohurive nga qytetarët ndaj këtij sistemi. “Aktivitetet e mbështetura nga financimi”, - tha Lorena Kostallari, drejtuesja e grupit të Projekteve të Shërbimeve Sociale në Shqipëri, - “do të mbështesin reformën në administratë për sistemin e pensioneve, zhvillimin e një qendre arkive për kontribuesit dhe përfituesit, si dhe do të promovojë edukimin publik ndaj këtij sistemi. Projekti filloi në janar të vitit 2002 me qëllim përmirësimin e standardeve të grupeve të varfra në Shqipëri duke i rritur shërbimet sociale dhe të kujdesit ndaj kësaj kategorie. Kredia origjinale mbështeti shërbimet sociale në 43 qendra kujdesi ditore, të cilat u ofrojnë shërbime me standarde të reja më shumë se 25 mijë përfituesve. Gjithashtu janë mbështetur 13 qendra kujdesi, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e shërbimeve sociale. Shqipëria hyri në BB në vitin 1991 dhe deri tani ka përfituar afërsisht 1.4 miliardë dollarë për 68 projekte zhvillimi.

Rritja e çmimit të naftës, Tatimet nisin fushatën e verifikimeve

Rritja e menjëhershme e çmimit të naftës me 10 lekë për litër është cilësuar e pakuptimtë nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Artur Papajani. Grosistët argumentuan se shkak i rritjes së çmimit është hyrja në fuqi e akcizës fikse prej 37 lekë për litër, por për kreun e Tatimeve për të ndryshuar çmimin do të duheshin disa javë deri në mbarim të sasisë rezervë të kompanive. Sipas Papajanit, “nga logjika ekonomike, kjo rritje brenda natës duket e pakuptimtë, pasi importuesit kanë pasur sasi të mjaftueshme të blerë më parë. Kur bëhet fjalë për ulje çmimesh, duhen muaj kurse për rritje ndryshohet brenda natës”. Për kreun e tatimeve kjo rritje e çmimit është e dyshimtë, por detyra e këtij dikasteri është vetëm vjelja e taksave dhe tatimeve, pa diktuar çmimin e shitjes. Papajani thotë se menjëherë ka urdhëruar nisjen e një fushate verifikimi të çmimeve në tabelat e karburanteve për të parë ndryshimin nga ato të deklaruara në Tatime. “Kemi filluar që dje një verifikim të pikave të shitjes për të parë nëse do të korrespondojë çmimi i deklaruar me atë në tabelë. Verifikimi është shtrirë sot në të gjithë vendin”, - tha për mediat drejtori i Tatimeve, Papajani. Pak ditë më parë, në pikat e tregtimit të karburanteve në vend, një litër naftë D1 shitej me 109 lekë, ndërsa dje me 119 lekë. Rritje ka pësuar edhe çmimi i naftës i cilësisë së dobët “D2”, e cila pak ditë më parë shitej me 100 lekë ndërsa dje me 113 lekë. Pas uljes drastike të çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare, çmimi i karburanteve në vend pësoi një rënie të lehtë.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›