Si të lexoni sondazhet
Nga Thanas Goga
Botimi i këtij materiali ka për qëllim të ndihmojë kryesisht gazetarët, për të kryer një punë tërësisht profesionale për raportimin e rezultateve të sondazheve dhe kurrsesi nuk duhet të shërbejë si një manual për të kryer një anketim të opinionit public.
Sondazhet mund të shërbejnë si burim i drejtpërdrejtë dhe më i mirë për të kuptuar opinionin publik. Ato janë mjete mjaft të vlefshme për gazetarët, politikëbërësit, specialistët e fushave të ndryshme të sektorit publik dhe atij privat apo kërkuesve shkencorë, të cilat mund të shërbejnë si bazë e saktë dhe informative të dhënash. Për gazetarët që kanë në dorë rezultatet e një sondazhi po paraqesim më poshtë 10 pyetje që duhet t’i drejtohen organizatorit të anketimit përpara raportimit të rezultateve. Hartimi i këtij grupi pyetjesh për vlerësimin e cilësisë së praktikave të anketimit është fryt i punës disavjeçare të Këshillit Kombëtar (Amerikan) për Sondazhet Publike (NCPP) , të drejtuar nga Sheldon R. Gawiser, drejtor i kërkimeve në NBC News, dhe G. Evans Witt, CEO Princeton Survey Research International, të cilët janë bashkëthemeluesit e njësisë së njohur amerikane të sondazheve publike, Associated Press/NBC News Poll. Së pari, të vetmet sondazhe që duhen raportuar janë sondazhet “shkencore.” Pyetjet e renditura më poshtë do t’ju ndihmojnë për të përcaktuar nëse një sondazh i caktuar është “shkencor” dhe nëse ia vlen të raportohet – ose nëse sondazhi në fjalë është pa vlerë.
Pseudosondazhet joshkencore janë mjaft të përhapura dhe, madje, disa syresh mund të jenë argëtues e interesantë, por ato nuk ofrojnë kurrë atë lloj informacioni që duhet të pasqyrohet në një raport serioz. Shembuj të tillë mund të jenë sondazhet ku të anketuarit telefonojnë në numrat 0900 të centraleve telefonike, sondazhet e njerëzve në rrugë (man-on-the-street), mjaft prej sondazheve që zhvillohen në Internet apo nëpër qendra tregtare.
Një nga veçoritë e rëndësishme dalluese ndërmjet sondazheve shkencore dhe atyre joshkencore është fakti se kush i përzgjedh të anketuarit për këtë sondazh. Në një sondazh shkencor, ekipet që kanë marrë përsipër kryerjen e tyre (pollster) së pari i identifikojnë dhe, më pas, kërkojnë për të gjetur njerëzit që do të intervistohen. Në një sondazh joshkencor, zakonisht të anketuarit e japin “vullnetarisht” opinionin e tyre, duke u vetëpërzgjedhur për t’u anketuar.
Rezultatet e sondazheve shkencore të organizuara mirë ofrojnë një tregues të besueshëm për opionionet e shumë njerëzve të tjerë, përveç atyre që janë intervistuar – madje, opinionet e të gjithë banorëve të një shteti apo territori të caktuar. Rezultatet e sondazheve joshkencore nuk janë asgjë më tepër se sa thjesht ajo që mendojnë vetëm të anketuarit e tyre.
Duke parashtruar 10 pyetjet e mëposhtme, gazetari apo specialisti i fushës mund të hulumtojë faktet për të vendosur se si do të raportojë rezultatet e çdo sondazhi, me të cilin mund të përballet në tavolinën e tij të punës.
1. Kush e ka kryer sondazhin?
Pyetja që kërkon përherë përgjigje e para është se, cila firmë sondazhesh, institucion kërkimor, fushatë e caktuar politike, apo ndonjë grupim tjetër e ka kryer sondazhin? Nëse nuk e dimë se kush e ka kryer sondazhin, atëherë nuk mund t’u përgjigjemi pyetjeve të tjera të renditura në vijim. Nëse personi që ofron rezultatet e sondazhit nuk mundet ose nuk dëshiron të tregojë se kush e ka kryer sondazhin, atëherë rezultatet e sondazhit në fjalë nuk mund të raportohen përderisa nuk mund të verifikohet vlefshmëria e tyre. Firmat me famë në fushën e sondazheve ofrojnë përherë informacionin e duhur që nevojitet për të vlerësuar sondazhet që ato kryejnë. Për arsye se fama është tepër e rëndësishme për një firmë me standarde të larta cilësie në sektorin e sondazheve, atëherë një anketim i kryer në kushte profesionale do të mund të shmangte mjaft gabime të mundshme gjatë realizimit të tij.
2. Kush dhe përse ka paguar për zhvillimin e sondazhit?
Gjithashtu, duhet të kemi dijeni edhe për porositësit ose ata që kanë paguar për kryerjen e anketimit – si dhe audiencën përkatëse – të cilët kanë menduar paraprakisht se çështjet e marra në shqyrtim nga sondazhi i tyre janë mjaftueshëm të rëndësishme për shpenzimin e parave për të kuptuar se çfarë mendojnë njerëzit.
Zakonisht, sondazhet kryhen për një arsye të veçantë – për të përftuar informacion të vlefshëm, ose për të përkrahur një çështje të caktuar. Mund të ndodhë që një grup i caktuar mediatik të dëshirojë të publikojë një artikull të qëlluar. Siç mund të ndodhë që edhe një politikan të dëshirojë të rizgjidhet. Mund të ketë gjasa që një korporatë të përpiqet për të rritur nivelin e shitjeve të një produkti të ri të saj. Gjithashtu, një grup i veçantë interesi të përpiqet të provojë se pikëpamjet e veta janë edhe pikëpamjet e popullsisë në tërësi të një vendi.
Sondazhet private që zhvillohen për një fushatë politike janë shpesh të papërshtatshme për t’u botuar. Sondazhe të tilla kryhen me qëllimin e vetëm për të ndihmuar kandidatin për të fituar – dhe për asnjë arsye tjetër. Pyetësorët e këtyre lloj anketimeve mund të përmbajnë pyetje të njëanshme ose metodologjia e tyre për përzgjedhjen e kampionit përfaqësues të popullsisë mund të jetë e pazakontë, pasi ato mund të jenë hartuar për t’i shërbyer taktikisht fushatës së kandidatit në fjalë. Për shembull, fushata të tilla mund të kenë për qëllim testimin e sloganeve të reja ose hartimin e mesazheve të reja për çështje kyçe të fushatës apo projektimin e një sulmi të ri ndaj kundërshtarit. Por, atëherë kur qëllimi i sondazhit të kryer nga kandidati mund të mos jetë një lexim i drejtpërdrejtë dhe i paanshëm i mendimeve të publikut, atëherë rezultatet e tij duhet të raportohen me një përkujdesje të veçantë.
3. Sa njerëz janë anketuar për sondazhin?
Për arsye se sondazhet japin përgjigje të përafërta, sa më tepër njerëz të intervistohen në një anketim shkencor, aq më i vogël do të jetë edhe gabimi që rrjedh si pasojë e madhësisë së kampionit të përzgjedhur, nëse çdo parametër tjetër do të ishte i njëjtë. Një nga grackat që duhen shmangur në këtë rast është mendimi se ‘sa më i madh të jetë kampioni, aq më të sakta janë edhe rezultatet e anketimit’. Është patjetër e vërtetë se sa më tepër njerëz të intervistohen në një anketim shkencor, aq më i vogël do të jetë edhe gabimi që rrjedh prej përzgjedhjes së kampionit, megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë që mund të jenë më tepër të rëndësishëm në gjykimin e cilësisë së një sondazhi.
4. Si u përzgjodhën njerëzit (të anketuarit) për këtë sondazh?
Arsyeja kryesore që përcakton se përse disa sondazhe pasqyrojnë saktësisht opinionin publik, ndërkohë që disa të tjerë janë hedhurina joshkencore pa vlerë, është mënyra se si janë përzgjedhur njerëzit për t’u intervistuar. Në anketimet shkencore, organizata që kryen sondazhin përdor një metodë të veçantë statistikore për të përzgjedhur të anketuarit. Ndërkohë, që në sondazhet joshkencore, personi vetëzgjidhet për t’u anketuar.
Metoda që përdorin organizatat e sondazheve për të përzgjedhur intervistuesit është e mbështetur në themelet e realitetit matematikor, që do të thotë: kur shanset për përzgjedhjen e çdo personi në një grup të synuar të popullsisë janë të njohura, atëherë, dhe vetëm atëherë, edhe rezultatet e anketimit të një kampioni të popullsisë pasqyrojnë popullsinë në tërësinë e saj. Ky quhet kampion i rastësishëm (random sample) ose kampion probabiliteti (probability sample). Kjo është edhe arsyeja se përse intervistimi i, p.sh., 1000 amerikanëve në moshë madhore mund të pasqyrojë saktësisht opinionet e më tepër se 210 milionë amerikanëve të kësaj moshe në të gjithë vendin.
Është absolutisht vendimtare të dihet se prej cilit grup të caktuar të popullsisë janë përzgjedhur të anketuarit. Duhet ta dimë nëse kampioni në fjalë është përzgjedhur nga numri i përgjithshëm i popullsisë në moshë madhore të krejt vendit, një rajoni ose një qyteti të këtij vendi, apo nga ndonjë grup tjetër i caktuar i popullsisë. Për shembull, sondazhi i njerëzve profesionistë të biznesit pasqyron opinionet e sektorit të biznesit – dhe jo ato të të gjithë popullsisë në moshë madhore të një vendi. Vetëm nëse të anketuarit janë përzgjedhur nga popullsia e përgjithshme e një vendi, atëherë rezultatet e sondazhit mund të pasqyrojnë opinionet e të gjithë popullsisë në moshë madhore të atij vendi.
Sondazhet politike janë veçanërisht të ndjeshëm për këtë çështje. Në sondazhet parazgjedhore, përzgjedhja e njerëzve që shërbejnë si baza e të anketuarve është vendimtare për saktësinë e tij. Për shembull, një sondazh i të gjithë të rriturve nuk do të ishte mjaft i dobishëm nëse vetëm 25% e zgjedhësve të regjistruar do të merrnin praktikisht pjesë në votime. Kështu që do të duhej të verifikohet fakti nëse bëhet fjalë për votues të regjistruar, “votues të mundshëm,” votues që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e kaluara dhe kështu me radhë. Këto dallime janë thelbësore dhe duhet të përfshihen në raportimin e të dhënave të sondazhit, për shkak se një nga sfidat më të vështira në praktikën e anketimeve është përllogaritja e atyre që do të shkojnë praktikisht të votojnë.
5. A janë të bazuara rezultatet e sondazhit në përgjigjjet e të gjithë njerëzve që janë intervistuar?
Një nga mënyrat më të thjeshta për të keqinterpretuar rezultatet e një sondazhi është raportimi i përgjigjeve vetëm të një nëngrupi të caktuar. Për shembull, në SHBA zakonisht ka një dallim thelbësor ndërmjet demokratëve dhe republikanëve përsa u përket çështjeve të fushatës zgjedhore. Raportimi vetëm i opinioneve të demokratëve në një sondazh duke nënkuptuar se ato përfaqësojnë të gjithë popullsinë në moshë madhore, mund të shkaktojë keqinterpretime thelbësore të rezultateve të anketimit në fjalë. Rezultatet e sondazhit të bazuara vetëm te demokratët mund të identifikohen si të tilla dhe duhet të raportohen si rezultate që përfaqësojnë vetëm opinionet e demokratëve.
6. Cili duhet të ishte intervistuar dhe nuk është marrë parasysh? Apo, a ka rëndësi shkalla e gatishmërisë për t’u përgjigjur e të anketuarve (response rate) ndaj intervistimit?
Asnjë sondazh nuk ia arrin të intervistojë çdokënd që duhet të intervistohet. Duhet të dimë se cilat kanë qenë hapat që janë ndërmarrë për të minimizuar mungesën e gatishmërisë për t’iu përgjigjur të të anketuarve, siç është për shembull, numri i përpjekjeve për të arritur të anketuarin e përshtatshëm dhe kohëzgjatja në ditë për të arritur tek i anketuari në fjalë.
7. Kur u krye sondazhi?
Ngjarje të ndryshme mund të kenë një ndikim dramatik në rezultatet e sondazheve. Interpretimi i rezultateve të sondazheve varet në një shkallë të madhe edhe nga momenti se kur është kryer anketimi në lidhje me një ngjarje madhore që mund të ketë ndodhur gjatë asaj kohe. Madje, edhe rezultatet më të freskëta të sondazheve mund të përmbysen nga pasojat e një ngjarjeje madhore. Për shembull, Presidenti apo Kryeministri i një vendi mund të ketë mbajtur një fjalim të rëndësishëm për kombin, ose transmetimi i fotove që pasqyrojnë abuzimin me të burgosurit prej personelit ushtarak, apo rrënimi i tregut të aksioneve, ose përmbytja e një anijeje naftëmbajtëse në det që ka përhapur përmbajtjen e miliona fuçive me naftë krudo në sipërfaqet e një bregdeti të bukur.
Rezultatet e sondazheve që janë kryer para disa javësh ose disa muajsh mund të kenë një saktësi të admirueshme, por ndërkohë mund të kenë ndodhur ngjarje që kanë një lidhje mjaft të fortë informative për ndryshimin e opinionit aktual të publikut.
8. Si u zhvilluan intervistat?
Ka katër mënyra kryesore: intervistimi drejtpërdrejt i personit, nëpërmjet telefonit, ‘online’ ose nëpërmjet postës. Shumica e sondazheve kryhen nëpërmjet telefonit, ku thirrjet telefonike kryhen nga një vendndodhje qendrore. Megjithatë, disa sondazhe kryhen ende duke dërguar intervistuesit në banesat e njerëzve për të zhvilluar intervistat, siç ndodh në shumicën e rasteve edhe në vendin tonë, për shkak të mangësive me regjistrimin e plotë të popullsisë, dobësive të sistemit të adresave, apo edhe për shkak të shkallës së ulët të depërtimit të telefonisë fikse.
9. Po sondazhet e kryera në Internet?
Zhvillimet e fuqishme të teknologjisë së përdorimit të Internetit përgjatë viteve të fundit kanë sjellë si pasojë zhvillime po aq mbresëlënëse edhe për disa lloje të sondazheve dhe anketimeve ‘online’ të opinionit publik. Sondazhet ‘online’ mund të jenë shkencore nëse edhe kampionet janë përzgjedhur sipas mënyrës së duhur. Shumë prej sondazheve ‘online’ fillojnë me përzgjedhjen e një kampioni shkencor të rastësishëm dhe i rekrutojnë pjesëmarrësit në anketim, ndërkohë që disa të tjerë zgjedhin gjithkënd që ofrohet vullnetarisht për të marrë pjesë në të. Pra, edhe sondazhet ‘online’ duhet të shqyrtohen në mënyrë të kujdesshme përpara se të përdoren të dhënat e tyre.
10. Çfarë ndikimi ka në rezultatet e sondazhit shkalla e gabimit në përzgjedhjen e kampionit përfaqësues të të anketuarve për këtë sondazh?
Intervistat me një kampion të përzgjedhur në mënyrë shkencore prej 1000 personash të moshës madhore mund të pasqyrojnë saktësisht opinionet e 210 milion amerikanëve në moshë madhore. Kjo do të thotë, se nëse do të përpiqeshim të intervistonim të 210 amerikanët në moshë madhore – nëse diçka e tillë do të ishte e mundur – atëherë, do të përftonim të njëjtat rezultate si dhe nga një sondazh i kryer në mënyrë shkencore me vetëm 1,000 të intervistuar.
Çfarë do të mund të ndodhë nëse një sondazh tjetër shkencor i 1,000 personave në moshë madhore do të jepte rezultate lehtësisht të ndryshme nga sondazhi i parë? Asnjë prej këtyre dy sondazheve nuk do të ishte “i gabuar.” Kjo amplitudë e rezultateve të mundshme quhet gabimi për shkak të përzgjedhjes së kampionit (sampling error), i cili njihet me përkufizimin kufiri i gabimit. Ky nuk është një “gabim” në kuptimin e kryerjes së matjeve të gabuara, por është një njësi matëse e amplitudës së përafruar të rezultateve për shkak të përzgjedhjes së kampionit.
Organizatorët e sondazheve e shprehin shkallën e sigurisë së rezultateve të bazuara në një kampion me përkufizimin “shkalla e besueshmërisë” (confidence level). Kjo do të thotë se një kampion ka po aq gjasa të ketë brenda shumë prej rezultateve të mundshme, sa edhe rezultati që do të kishim përftuar nëse do të ishte intervistuar e gjithë popullata e synuar në tërësinë e vet. Shumica e sondazheve i raportojnë rezultatet e tyre duke përdorur shkallën prej 95% të besueshmërisë.
Kështu, për shembull, një “kufi gabimi prej 3%” në një sondazh kombëtar do të thotë se nëse do të ishin intervistuar të gjithë personat në moshë madhore të një vendi të caktuar nëpërmjet pyetjeve të njëjta, në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë kur është zhvilluar edhe anketimi, atëherë rezultatet e sondazhit do të ndodheshin brenda kufirit të rezultateve prej plus ose minus 3 pikë në përqindje të të gjitha rezultateve të raportuara në 95% të rasteve.
Kjo nuk ka të bëjë me çështjen nëse njerëzit kanë bashkëpunuar ose jo me intervistuesit, ose nëse pyetjet janë kuptuar mirë ose keq prej të anketuarve, apo nëse ka ndonjë problem me metodologjinë e sondazhit. Gabimi për shkak të përzgjedhjes së kampionit është vetëm një pjesë e gabimit të mundshëm në një sondazh që kryhet mbi një kampion se sa kur është intervistuar popullsia në tërësi. Gabimi në përzgjedhjen e kampionit nuk tregon asgjë përsa i përket shkallës së refuzimit të të anketuarve për t’u intervistuar, ose numrin e atyre që kanë qenë vazhdimisht të padisponueshëm për t’u intervistuar; gjithashtu ai nuk tregon asgjë përsa i përket efektit shtrembërues të mënyrës së hartimit të një pyetjeje të veçantë ose njëanshmërisë që një intervistues i veçantë mund të paraqesë në një situatë të caktuar anketimi. Dhe gjithashtu, kjo është e zbatueshme vetëm për sondazhet shkencore.
Kujtoni që kufiri i gabimit në përzgjedhjen e kampionit duhet të zbatohet në secilin prej rezultateve të raportuara të sondazhit – ai është të paktën 3 pikë në përqindje plus ose minus për secilin nga rezultatet e raportuara. Në këtë mënyrë, në një pyetje sondazhi për dy kandidatë të mundshëm për President ose për Kryeministër, që të dyja të dhënat janë subjekt i gabimit për shkak të përzgjedhjes së kampionit.
* Nga Thanas Goga
Ron Brown Fellow 2004-2006
M.A. Communications Research
Ohaio University
19 Mars 2009