E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia mbjell pemë në rrugët e kryeqytetit



Nisma “Një qytetar-një pemë”, e iniciuar nga Bashkia e Tiranës, vazhdon të zgjerohet në sajë të bashkëpunimit me sipërmarrje të ndryshme private. Kësaj iniciative u janë bashkuar deri më tani mjaft subjekte, të cilët përmes aksionit të mbjelljes së pemëve, synojnë të japin ndihmesën e tyre në pastrimin e ajrit, uljen e ndotjes dhe për krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës në komunitet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, duke vlerësuar kontributin e sipërmarrjeve, që tashmë janë pjesë e nismës për shtimin e përmasës së gjelbër në kryeqytet u shpreh se aktualisht ka shkuar në 1500 pemët e dhuruara nga bankat apo sipërmarrësit. “Sot, unë e them me shumë kënaqësi që në këtë stacion të ri ku kemi mbërritur, me arritjen në 1500 të numrit të pemëve të reja, ne mund ta shikojmë me siguri të plotë të ardhmen e këtij projekti. Ky projekt do të shkojë duke u shumëfishuar, jo vetëm në territorin e Tiranës, por edhe në territorin e gjithë Shqipërisë së nesërme”, - u shpreh Rama. Kështu, Coca-Cola shpk (ÇBS) ka mbjellë 40 bli në rrugën “Themistokli Gërmenji”, Sara El.shpk ka mbjellë 25 gështenja në rrugën “A.Z.Cajupi”. “Një qytetar-një pemë” synon të ndikojë pozitivisht, në rritjen e vlerave të komunitetit e rivitalizimin e tyre, duke nxitur njëkohësisht ndjeshmërinë dhe pjesëmarrjen qytetare në këto nisma. I gjithë komuniteti kryeqytetas, shoqatat jo fitimprurëse, agjencitë e ndryshme, bizneset e mëdha dhe të vogla, kompanitë private dhe shoqëritë e ndryshme, por edhe çdo qytetar i Tiranës mund të japë kontributin e tij, duke u bërë kështu pjesë e kësaj iniciative e cila është një thirrje për veprim, është më shumë se të mbjellësh një pemë.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›