E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi mësyn për herë të dytë mbi kompetencat e Prokurorisë

Gjykata Kushtetuese shqyrton padinë e dytë brenda gjashtë muajve. Paditë synojnë ti heqin Prokurorisë të drejtën për të pushuar çështjet

Brenda gjashtë muajve, Gjykata Kushtetuese i ka thënë “jo” dy padive të nisura nga gjykatat e rretheve dhe të mbështetura nga Kuvendi të cilat kërkonin “shfuqizimin e kompetencave të prokurorisë mbi pushimin ose jo të çështjeve”. Në Gjykatën Kushtetuese “është lozur” dy herë me radhë tentativa për t’i hequr organit të akuzës ndoshta kompetencën e tij më të fortë: të drejtën për të ndezur ose pushuar çështjet e ardhura për shqyrtim. Pas një gjyqi me të njëjtin objekt të bërë në korrik të vitit 2008, edhe këtë muaj Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë pretendimin për t’i hequr prokurorisë këto kompetenca. Gjyqi i korrikut 2008 erdhi si propozim nga Gjykata e Apelit të Tiranës ndërsa gjyqi i këtij viti erdhi nga Gjykata e Apelit të Vlorës. Në të dy rastet, juristi i Kuvendit mbështeti kërkesën për heqjen e këtyre kompetencave të prokurorisë. “Në këtë këndvështrim, Gjykata Kushtetuese çmon se dhënia formë të prerë vendimit të prokurorit për pushimin e çështjes në rastin e Nenit 329/1 të KPP, pjesa e fjalisë “përveçse kur me vendim deklarohet se fakti nuk ekziston”, i mohon individit të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës (e drejta e aksesit në gjykatë), si një nga elementët përbërës të Nenit 42/2 të Kushtetutës. E drejta për t’iu drejtuar gjykatës, me qëllim vendosjen në vend të një të drejte të cenuar nga një akt i pushtetit publik, ka për qëllim kontrollin e këtyre të fundit për respektimin e parimeve kushtetuese e ligjore në funksion të realizimit të drejtësisë.”, - shkruhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila pranon ankimimin në gjykatë të vendimit të prokurorit(për të pushuar çështjen), por hedh poshtë heqjen e kësaj kompetence të tij.
Precedenti
Diku nga mesi i korrikut, në kulmin e acarimit të marrëdhënieve mes Ekzekutivit dhe Prokurorisë, Gjykata Kushtetuese i ka thënë ”jo” një kërkese të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, e cila në thelb të saj synonte që Gjykata Kushtetuese të vendoste që prokurorët të mos kishin më tagrin e vendimmarrjes për pezullimin e hetimit të çështjeve të regjistruara. Kjo kërkesë i ka shkuar Gjykatës Kushtetuese në janar të vitit 2008, ndërsa periudha e korrikut, kur kjo çështje u gjykua, ishte një periudhë kur zyrtarë të lartë shqiptarë po hetoheshin nga Prokuroria për dy dosje të bujshme, siç ishin “Rrëshen-Kalimash” dhe “Gërdeci”. Gjithsesi, kërkesa e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda erdhi si pasojë e përplasjes mes saj dhe Prokurorisë gjatë hetimit të një konflikti pronësie. Historiku është i thjeshtë, pasi mori denoncimin për çështjen e pronësisë, Prokuroria kreu veprimet e para procedurale dhe vendosi pushimin e pjesshëm të çështjes, ndërkohë që ky vendim i Prokurorisë u pa si i padrejtë nga Gjykata e Apelit dhe kjo e fundit vendosi që të shprehej Gjykata Kushtetuese.
Vendimi
Por Gjykata e Apelit, në mënyrë “të çuditshme”, pretendoi se “Prokuroria nuk mund të vendoste për pushimin ose jo të një çështjeje pasi ky ishte një vendim drejtësie dhe duhej të merrej nga gjykatat”. Sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit, vendimi i Prokurorisë binte ndesh me Kushtetutën (Nenin 135) dhe se Prokuroria nuk mund të kishte të drejtë vendimmarrjeje për pushimin ose jo të dosjeve të nisura. Një rast i pashoq në të gjithë historinë 17-vjeçare të demokracisë shqiptare që një gjykatë të ”vërë në dyshim” detyrat kushtetuese të organit të akuzës duke marrë shkas nga një çështje e rëndomtë.

19 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›