Adrian Mutu, pozitiv në testin antidoping

Problemet nuk kanë të mbaruar për sulmuesin e Fiorentinës dhe Rumanisë, Adrian Mutu. Pas problemeve me kokainën dhe detyrimeve financiare ndaj Chelsea, 31 vjecari ka rezultuar pozitiv me një substancë të ndaluar, sibutramine, që ndihmon në ndalimin e oreksit. Lajmin e ka konfirmuar Komiteti Italian Olympik, sipas të cilit Mutu ka rezultuar pozitiv në ndeshjen e 10 janarit mes Fiorentinës dhe Barit.
"Në testin e parë të analizuar, është gjendur prezenca e sibutramines,"
shkruhet në komunikatë për shtyp. Kjo në fakt nuk është hera e parë që
rumuni kapet me përdorim drogash. Ai është larguar nga anglezët e
Chelsea në 2004, pasi rezultoi pozitiv për përdorim kokaine. CONI, nuk
ka dhënë detaje të tjerë, por ka treguar edhe më parë se nuk toleron
sportistët që dështojnë në test, -- edhe kur e përdorin drogën
aksidentalisht.
Mutu ka patur një sezon të vështirë me Fiorentinë,
pjesërisht për shkak të dëmtimeve e pjesërisht për shkak të problemeve
me Chelsea, që kërkonte kompensim prej 17 milion euro nga sulmuesi.
Tashmë sulmuesi rumun rrezikon pezullimin nga 1 në 4 vjet, ndërkohë që
Fiorentina, e cila është kualifikuar për fazën eliminatore të Champions
League, nuk ka bërë asnjë koment.
Eno Skarço