E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vrarë myftiu në një kanal

01/04/2005  Pranë tij gjendet një çallmë e bardhë. Policia: Po verifikojmë në Komunitetin Mysliman

TIRANË- Gjendet i ekzekutuar me armë zjarri myftiu 45-vjeçar në periferi të Tiranës. Një sinjalizim i banorëve të fshatit Babrru ka detyruar policinë që për orë të tëra të mundohet për të nxjerrë nga një kanal tepër i thellë kufomën e një kleriku të lartë mysliman.

Viktima

Burime tepër të rezervuara të Policisë së Tiranës thanë për gazetën "Metropol" se kufoma i përket një mashkulli, 45 vjeç, me trup mesatar, i hollë dhe me veshje të trashë. Nga objektet e gjetura pranë tij përmendet një çallmë e bardhë, pallto e trashë dimri, ngjyrë gri, këpucë, pantallona të zeza, të shkurtëra në fund dhe disa letra të holla me disa shkrime në gjuhën arabe. Gjithashtu burimet policore thanë se nga vëzhgimi i trupit të tij të pajetë janë vërejtur disa shenja të dyshimta në kokë dhe pjesë të poshtme të trupit, të cilat paraprakisht japin dyshime të forta për specialistët se myftiu apo imami, është ekzekutuar me armë zjarri e më pas është hedhur nga lartësia e madhe për të humbur gjurmët. Nga të gjitha këto fakte ekspertët e komisariatit numër 3 dhe ata të Mjekësisë Ligjore mendojnë paraprakisht se viktima ka të paktën 13 ditë që ka vdekur, ndërkohë që për identitetin e tij ende ka paqartësi të shumta. Të dhënat operative flasin për mundësinë se kufoma i përket një zyrtari të lartë të fesë myslimane, ndërsa hetimet janë shtrirë menjëherë në të gjitha pikat kyçe, ku përmendet verifikimi i të gjithë anëtarëve të Komunitetit Mysliman apo të të rinjve, përfaqësues të rrymës së re myslimane, me qendër në xhaminë e "Rrugës së Kavajës"

Si u gjet kufoma

Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm fëmijët e lagjes së ish-uzinës së autotraktorëve, në afërsi të Babrrusë, vunë re gjatë lojës së tyre në kodrën e thepisur se prej andej vinte një erë e keqe. Njëri prej tyre shkoi në shtëpi për tu thënë prindërve të tij për atë ç ka kishte parë e këta të fundit pasi panë një kufomë të dekompozuar në fund të kanalit të thellë, rrëzë kodrës, lajmëruan në rrugë telefonike policinë. Në vendngjarje mbërritën menjëherë uniformat blu të komisariatit numër 3, i cili ka në juridiksion këtë zonë. Vendi tepër i papërshtashëm nuk i ka lejuar forcat e para policore për të verifikuar atë ç ka shinhin nga larg e për të mundësuar një gjë të tillë, u thirrën në mënyrë urgjente Forcat Speciale. Gjithashtu në vendin e ngjarjes shkuan edhe mjekët eksperto-ligjorë, të morgut të Tiranës, të cilëve nuk u ka mbetur gjë tjetër, veçse të presin thuajse gjatë gjithë ditës, nxjerrjen e trupit të pajetë nga ai vend tepër i thepisur. Kufoma mbërriti në morg rreth orës 19.00, të ditës së djeshme, ndërsa janë lënë për sot të gjitha verifikimet e sakta laboratorike, pas analizave të imtësishme, duke qenë se sipas një urdhëri të posaçëm nga krerë të policisë, të gjitha procedurat do të kryhen me rreptësi të plotë, nën mbikqyrjen e prokurorëve.

Tre vjet më parë vritet kreu i Komunitetit Mysliman

Ish-kreu i Komunitetit Mysliman, Sali Tivari, u vra në vitin 2002, në zyrën e tij. Ekzekutimi u cilësua mafioz nga të gjitha organet e strukturat kompetente. Fillimisht policia hodhi pistën se vrasja u krye për konflikte pronash, ndërsa më vonë prokuroria filloi të grumbullojë prova tepër të pakta. Nga të gjitha materialet që disponohen derimë tani, ende nuk ka një emër konkret autori. Është vërtetuar se Tivari u qëllua nag të paktën dy persona, ende të paidentifikuar, ndërsa asnjë nga punonjësit e tjerë të këtij komuniteti nuk kishte parë gjurmë të vrasësit. Muajt e fundit janë hedhur disa pista të tjera nga prokuroria, ndonëse asnjëherë nuk u pranua zyrtarisht se egziston një provë konkretë që fajëson ndokënd. Megjithatë hetimet edhe pse jo në faza intensive, janë shtrirë edhe në disa rrethe të tjera të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›