E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjurmë gishtash te 100 eurot e viktimës së “Don Bosko”

01/04/2005  Do të krahasohen me ato të tre lushnjarëve të arrestuar dhe të skeduarve nga policia

Policia ka gjetur dhe administruar në cilësinë e provës materiale gjurmë gishtash në një prej shtatë kartmonedhave 100 euro, që iu gjetën viktimës së eksplozivit te “Don Bosko”. Këto gjurmë gishtash, disa prej të cilave mendohet të jenë të viktimës, janë çuar në laboratorin kriminalistik për krahasim. Gjurmët e gjetura do të krahasohen edhe me ato të tre të ndaluarve lushnjarë. Nëse ndonjë gjurmë e gjetur në kartmonedhë do të rezultojë të jetë e tyre, atëherë kjo provë e re do të forcojë dyshimet për lidhjen që ata kanë në këtë atentat. Ndërkaq, Prokuroria disponon edhe tabulatet e thirrjeve të tyre telefonike, nga rezulton se ata kanë kryer disa herë lidhje telefonike reciproke me numrin që u gjet në vendngjarje, që mendohet të jetë i viktimës.

Gjurmët

Policia ka konstatuar disa gjurmë gishtash në një prej monedhat 100 euro, që iu gjetën me vete viktimës te “Don Bosko”. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë organit të akuzës, të cilat sqaruan se këto materiale shtesë i janë përcjellë dje Prokurorisë së Tiranës. Mendohet që disa prej gjurmëve të gishtave t’i përkasin viktimës. Ndërsa pritet rezultati i krahasimit të tyre me ato të të skeduarve nga policia. Kjo, pasi vetë viktimës i janë dëmtuar duart prej shpërthimit të eksplozivit dhe gjurmët e gjetura në kartmonedhë janë më të dukshme e më të plota. Sipas Prokurorisë, nëse ato do të rezultojnë të njëjta me ato të të skeduarve më parë nga policia, atëherë do të arrihet edhe në identifikimin e mundshëm zyrtar të viktimës. Burimet thonë se gjurmët e gjetura do të krahasohen edhe me ato të tre lushnjarëve të arrestuar, Elvis Pethi, Ardian Llapushi dhe Mario Hasani. Nëse këto gjurmë do të rezultojnë të njëjta me ato të njërit prej të arrestuarve, ky fakt i ri do të konfirmojë lidhjen e tyre me viktimën dhe ngjarjen, theksojnë burimet. Kjo, pasi tashmë është konkluduar lidhja e tyre me viktimën, pasi janë zbardhur thirrjet e tyre telefonike me viktimën, që janë kryer të shumta dhe reciprokisht kohët e fundit edhe natën e ngjarjes.

Hetimet

Prokuroria dhe policia kanë konkluduar zyrtarisht se pas shpërthimit të eksplozivit te “Don Bosko” fshihej “banda e Lushnjës”. Gjithashtu dyshohet se objekt i atentatit ka qenë një ish-zyrtar i policisë, që ka drejtuar disa operacione kundër kësaj bande. Burimet thonë se një prej të arrestuarve kishte lidhje fisnore me Leonard Priftin, një prej të akuzuarve të kësaj bande, që po gjykohet në mungesë për vrasje. Madje, edhe vetë tre të arrestuarit pohuan para hetuesve se numri i gjetur në vendngjarje i përkiste Leonard Priftit, thanë burimet. Por nga verifikimet rezultoi se numri nuk i përkiste atij dhe se të dhënat fizike të viktimës ishin krejt të kundërta me ato të Leonard Priftit. Para disa ditësh, Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka marrë kompetencat e hetimit të kësaj çështje, thirri babanë e një prej të akuzuarve të “bandës së Lushnjës”. Mësohet se, ata i kanë thënë të moshuarit që dyshonin të ishte vëllai i tij viktima. Por ai u ka thënë se vëllanë e kishte në Greqi dhe, madje, u ka vënë në dispozicion telefonin, ku prokurorët kanë folur me atë që e mendonin të ishte viktima. Disa javë më parë, në një pallat në rrugën “Don Bosko”, shpërtheu një sasi lënde plasëse, e cila mori jetën e një personi ende të paidentifikuar plotësisht.

Krimet e Rënda, hetim nëse viktima u vetëvra apo u eliminua

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka arritur ende të konkludojë zyrtarisht, nëse viktima e eksplozivit te “Don Bosko” është vrarë aksidentalisht, apo është eliminuar nga dikush tjetër. Burime pranë organit qendror të akuzës, pohojnë se dyshimet më të forta janë për një shpërthim aksidental, që mori jetën e një atentatori, objektivi i të cilit mendohet të ketë qenë një ish-zyrtar i policisë. Por, po hetohet edhe në pistën tjetër, se viktima mund të jetë eliminuar nga bashkëpunëtorët e tij, për shkaqe ende të errëta. Burimet thonë se pritet rezultati i ekspertizës së vendit të ngjarjes dhe shkaqeve që kanë çuar në shpërthimin e lëndës plasëse, për të konkluduar zyrtarisht në një version përfundimtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›