Kapen hajdutet e makinave
01/04/2005 TIRANË- Policia e Tiranës vë nën pranga dy persona të kërkuar për vjedhje makinash dhe kanë mundur të zbardhin vjedhjen e një mjeti. Sipas njoftimit zyrtar të zëdhënëses së Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, mësohet se efektivët e Komisariatit numër 2 kanë mundur të arrestojnë Dritan Telezen, 35 vjeç, lindur e banues në Elbasan, pasi në rrugën "Sami Frashëri" ka tentuar të vjedhë dy automjete në pronësi të dy shtetasve. Sipas policies, ai është autori i vjedhjes së kasetofonit të mjetit "Pezho", në rrugën "Komuna e Parisit". Ndërkaq është arrestuar edhe Mirash Doda, 34 vjeç, lindur në Pukë e banues në Laprakë të Tiranës, i dënuar dy herë për grabitje. Atij, sipas policisë iu gjet një pistoletë e tipit "Zastava", në një lokal në rrugën "Lord Bajron", të cilën e mbante pa leje. Gjithashtu janë identifikuar autorët e vjedhjes së një mjeti “Benz”, në datën 27 mars të këtij viti. Sipas policies, autorët janë Alfred Prenga e Preng Lleshi, të cilët, tashmë janë të arrestuar për grabitje të makinave. Së fundmi, punonjësit e Komisariatit numër 6 kanë vënë nën pranga 14-vjeçarin R.Xh., lindur në Përmet e banues në Tiranë, pasi në rrugën "Llazi Miho" ka vjedhur një mjet të tipit kamion.