Tollonat e falsifikuara, “Euro Drin” denoncon 4 milionë lekë karburant të vjedhur
01/04/2005 Kompania e tregtimit të karburanteve “Euro Drin”, ka denoncuar dy ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës vjedhjen e një sasie lëndë djegëse me vlerë afro 4 milionë lekë të vjetra. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime pranë organit të akuzës së rrethit Tiranë, të cilat sqaruan se denoncimi është bërë nga vetë shoqëria “Euro Drin”, e cila e ka konstatuar vjedhjen pas një kontrolli të ushtruar nga vetë punonjësit e saj. Nga burimet mësohet se bëhet fjalë për vjedhje me anë të vënies në përdorim të tollonave të falsifikuara të kësaj firme. Vjedhjet mësohet të jenë kryer brenda disa muajve. Në kallëzimin penal, shoqëria “Euro Drin” pretendon se i janë falsifikuar tollonat e tërheqjes së karburantit nga pikat e shitjes. Dhe me anë të këtyre tollonave të falsifikuara, është vjedhur një sasi karburanti që kap shifrën e 4 milionë lekëve. Por, kompania në fjalë nuk ka denoncuar ndonjë emër konkret të dyshuar për këtë vjedhje, duke i lënë dorë të lirë Prokurorisë të verifikojë përgjegjësit. Afro një muaj më parë, në Prokurorinë e Tiranës mbërriti një kallëzim për vjedhje të 4000 litrave karburant, me anë të falsifikimit të tollonave shtetërorë. Denoncimi u krye nga shoqëria e distributorëve të naftës ARMO. Sipas këtij kallëzimi, me anë të tollonave të falsifikuara të Prokurorisë së Përgjithshme, ishin vjedhur rreth 4000 litra naftë.