Sollaku-Linos, takohen sot në Athinë për fajdet

01/04/2005 Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, është nisur dje për një vizitë njëditore në Greqi, ku sot do të zhvillojë një takim pune me kryeprokurorin helen, Dimitrios Linos. Lajmi u bë i ditur dje për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të organit qendror të akuzës, të cilat sqaruan se gjatë kësaj vizite, Sollaku do të shkëmbejë mendime me përfaqësues të organit të hetimit të Greqisë, rreth bashkëpunimit ndërinstitucional të dy prokurorive për çështje me interesa të përbashkëta. Ndërkaq nga burime konfidenciale të gazetës pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se vizita zyrtare e shefit të akuzës do të ketë në axhendë disa dosje hetimore të përbashkëta. Këto burime thonë se në qendër të takimit të Sollakut me homologun grek, do të jenë hetimet për piramidat, episode të të cilave kanë sjellë fakte të reja në muajt e fundit. Transfertat e parave në miliarda, ku janë përfolur si të implikuar ministra e deputetë, pohohet se do të jenë pjesë e punës së kryeprokurorëve të dy vendeve. Agjenti Vavilis, "sipërmarrësi" i çuditshëm, që shfaqet çdo javë në një nga ish-skemat piramidale, si biznesmen, nënkontraktor, ka futur në lojë dhe deputetë e pushtetarë të vendit fqinj. Ndërkaq pritet që dy kryeprokurorët të bisedojnë edhe rreth incidentit ndaj peshkarexhës “Tre vëllezërit”, që u qëllua me snajper në shkurt të këtij viti, në ujërat e bregdetit të Butrintit, sqaruan burimet. Ky është takimi i dytë në harkun e gjashtë muajve mes drejtuesve të prokurorive të Greqisë dhe Shqipërisë.