E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriano: Gati për derbin e kthimit

02/04/2005  Mjekët tregohen të matur për riaftësimin e tij për derbin e kthimit në Ligën e Kampioneve, por Adriano premton që tani rikthimin e tij: “E di se mund të riaftësohem. Dua të ndihmoj shokët, të cilët kanë shumë besim tek unë. Kur isha në Firence dhe në Parma, i shënova dy gola të bukur Milanit, sepse zemra ime ishte që atëherë interiste dhe doja t’i mundja kuqezinjtë”. Braziliani e di mirë se derbi është shumë i rëndësishëm dhe nuk mund të humbet, ndaj do të fillojë vrapin që nga dita e hënë dhe do të kërkojë të ecë më para se programet që kanë caktuar mjekët. “Gjuri i djathtë është akoma i dobët, por riaftësimi po ecën mirë. Pas pak ditësh do të filloj vrapin dhe shpresoj që të luaj në ndeshjen e kthimit kundër Milanit. Kam shumë besim se do t’ia dal mbanë”, vazhdon sulmuesi zikaltër, i cili jep parashikimin e tij për derbin: “Dua të jem në ndeshjen e kthimit dhe të zhvilloj një ndeshje të madhe. Më vjen keq të shoh që shokët e skuadrës dhe tifozët janë të trishtuar, por jam i bindur se do të fitojmë ne dhe do të kualifikohemi”. Edhe Masimo Morati është i sigurtë se braziliani do të kthehet shumë shpejt në fushë: “E vlerësoj shumë Adrianon, sepse është jo vetëm një futbollist i madh, por edhe një njeri i jashtëzakonshëm. Është një djalë që ka shumë eksperiencë dhe uroj që të na rikthejë entuziazmin e humbur. Për rikthimin e tij, besoj se faktori psikologjik është shumë i rëndësishëm, por besoj se do të jetë gati për kthimin kundër Milanit dhe do të na ndihmojë shumë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›