Berluskoni: Ja pse e shpëtuam Lacion
02/04/2005 Kryeministri italian, njëkohësisht dhe pronar i Milanit, Silvio Berluskoni, ka pranuar se ka ndërhyrë personalisht për të shpëtuar Lacion nga falimentimi. Gjithçka është bërë me një arsye të vetme: të evitoheshin trazirat që do të lindnin nga një vendim i tillë. “Rasti i Lacios është i veçantë, sepse bëhet fjalë për një skuadër që ka shumë mbështetës. Një falimentim i mundshëm do të sillte probleme të mëdha për rendin publik, por edhe do të bënte që qeveria të humbiste gjithë borxhin e Lacios, ndaj u mendua kjo rrugëdalje”, deklaroi ditën e djeshme Berluskoni. Klubi roman ka arritur një marrëveshje sipas së cilës do të duhet të paguajë 140 milionë euro në 24 vjet, me këste prej 5,6 milionësh. Por nuk mbarojnë me kaq zbulimet e kryeministrit italian: “Ka nga ata që, me të drejtë, kujtojnë që Fiorentina nuk pati të njëjtin trajtim, tre vjet më parë. Mund të them që edhe atëherë u interesova për shpëtimin e klubit vjollcë, por nuk më lejuan gjykatësit e çështjes, të cilët u nxituan”.