E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriano: “Iki dhe nuk e pranoj huazimin”

"Fola me Adrianon dhe vendosëm se huazimi nuk është një zgjidhje. Ai dëshiron të qëndrojë te Interi përndryshe dëshiron të dalë në shitje". Kjo është deklarata e menaxherit të futbollistit brazilian, Gilmar Rinaldit. "Bisedova me Brankën dhe mbeta i befasuar dhe i budallepsur nga dëshira e klubit për ta dhënë lojtarin me huazim. Adriano, - shtoi Rinaldi, - qëndron në dispozicion total të klubit. Brenda një jave është e vështirë të gjesh një skuadër, por ne jemi të qetë. Maksimumi do të flasim sërish gjatë muajit janar". Gazeta italiane "Corriere dello Sport" shkruante se braziliani, i cili të dielën e ndoqi ndeshjen Inter-Udineze nga tribuna, kërkohet në Angli. Ndërkohë që Adriano përgatitet të largohet një tjetër emër është në ardhje e sipër te Interi, Viktor Hugo Pele, futbollisti i ri portugez, i cili pritet të nënshkruajë një kontratë pesë vjecare. Ofertat për "Perandorin" janë të shumta dhe flitet për Arsenalin, Totenhemin dhe Mancester Sitin. Pas fishkëllimës finale të takimit Inter-Udineze, Adriano u bashkua me shokët në dhomat e zhveshjes. Dhe këtë gjest shokët e tij e vlerësuan. "Shpresojmë që të rish me ne", thanë në kor Stankovici, Ibrahimovici dhe Kordoba.
PELE - Por, Mancini dëshiron një tjetër mesfushor. Viktor Hugo Pele mbërriti në Itali pasi dëshironte Mancini dhe Interi është gati të derdhë për 19-vjecarin 2.5 milionë euro. "Është ende i ri, por me perspektivë të madhe. Ka të dhëna teknike të mira dhe ka një gjuajtje optimale. Nëse do të vijë një tjetër Pele në futboll? Së pari e presim të vijë, pastaj do të shohim", - mbyll të gjitha shtigjet Mancini.
ALFONSO - Interi bëri të ditur se mori me formulën e bashkëpronësisë portierin e Kievos, Enrico Alfonso, me të cilin nënshkroi një kontratë pesëvjecare. Lojtari është tashmë në dispozicion të trajnerit Roberto Mancini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›