Adriano, drejt Premier League
Hapen portat e Premier League për Adrianon. Ish-sulmuesi i Interit ka pranuar, menjëherë pasi ka fituar titullin e Brazilit me Flamengon, se e ardhmja e tij është akoma për t‘u shkruar: "The Sun" shkruan se tekniku i Uest Hemit, Xhanfranko Zola, është i gatshëm të prezantojë një ofertë për lojtarin në janar, kur Adriano mund të shkëputet nga klubi brazilian, edhe pse ai ka një kontratë që skadon në 2010. Perandori, 19 gola me Flamengon, po mendohet: "Nuk është çështje parash. Kam shumë oferta, nuk jam këtu për të mohuar gjithçka që do të zbulohet më vonë. Ajo që vlen sot është lumturia ime". Uest Hem, pas 0-4 me Mançester Junajtid, pozicionohet në vendin e katërt nga fundi në kampionatin anglez me 15 pikë në 15 ndeshje. Ndërkohë që merkato e Premier nuk mbaron këtu: Philipp Lahm në pasqyrën e Mançester Siti. Sipas "The Sun" "Sitizens"-at janë të gatshëm për t‘i ofruar Bajernit të Mynihut 12 milionë sterlina për të marrë lojtarin e krahut të kombëtares gjermane që në janar.