E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kualifikimi, objektivi i parë i rëndësishëm i Barcelonës"

Në Kiev, Barcelona do të kërkojë kualifikimin në 1/8 e Ligës së Kampioneve. Sipas drejtorit teknik të klubit katalan, Çiki Begirishtajn, ky "është objektivi i parë i madh i skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola në këtë sezon". Megjithëse deri më tani "blaugranat" kanë fituar Superkupën e Europës dhe atë të Spanjës dhe do të luajnë në Botërorin për klube, drejtuesi këmbëngul se transferta në Ukrainë është më e rëndësishme. "Duhet të vazhdojmë aventurën më tej në Champions, mundësisht të kalojmë si skuadra e parë në grup, që është një avantazh në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë. Prioriteti ynë përballë Dinamos së Kievit është fitorja. Të gjithë e kanë të qartë sa i rëndësishëm është ky aktivitet për një klub si Barça", shtoi ai. Begirishtajn theksoi se ekipi nuk është i tensionuar, por impenjimi është maksimal: "Grupi ku luanim ishte shumë i fortë. Për ndeshjen me Dinamon na shqetëson disi i ftohti dhe gjendja e fushës, që mund të ndikojnë në lojën e skuadrës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›