E Diel, 1 Nëntor 2026

Altin Lala, shqiptari “Super i kuq”

“Bild”: “Për fansat, ky është lajmi më i bukur për Krishtlindje”. Pas përfundimit të kontratës së re, mesfushori do të punësohet në klub

“Për fansat, ky është lajmi më i bukur për Krishtlindje: xhuxhi luftarak do të qëndrojë i kuq”. Me këto fjalë e përshkruan lajmin për rinovimin e kontratës së Altin Lalës gazeta më popullore në Gjermani, e famshmja “Bild”. Drejtuesit e klubit Hanover 96 në Bundesligën gjermane i kanë ofruar mesfushorit shqiptar një tjetër kontratë për “besnikun e kuq”.

TË KUQTË - 33-vjeçari Lala ka zhvilluar deri tani 158 ndeshje në Bundesligën 1 dhe 115 në Bundesligën 2 me fanellën e Hanoverit. “Dhe shumë ndeshje të tjera do të jenë për të (me shpresë në Ligën 1)”, - shkruan gazetari gjerman i “Bild”, Florian Krebs. “Të kuqtë”, siç thirret Hanoveri në Gjermani, do t’ia përtërijnë kontratën Lalës gjatë verës së ardhshme.

PUNËSIMI - Bosi i Hanover 96, Martin Kind, flet për “Bild”: “Ne e dimë mirë ç’parakupton ai për Hanoverin dhe ekipin”. Kjo do të thotë se pasi të dalë në “pension” e të varë “këpucët në gozhdë’, Altini do të punësohet në klub, duke qenë edhe më i lidhur me klubin e themeluar në vitin 1896. Lala është një ndër 13 lojtarët e huaj te Hanoveri, ku luajnë çuditërisht edhe dy amerikanë: Steven Cherundolo dhe Sal Zizzo.

BISEDIMET - Kind flet sërish me respekt: “Ne sigurisht që do të bisedojmë me të (Lalën)”. Për momentin, Presidenti i Hanoverit ka folur me trajnerin Diter Heking dhe drejtorin sportiv Kristian Hohshteter, që mesa duket ka dhënë edhe miratimin e tyre për këtë ripërtëritje. Pas festave të fundvitit do të nisin bisedat edhe me menaxherin e Lalës, Harun Arslan.

NDESHJET - Lala do të qëndrojë. Dhe do të jetë një “Super-Roten” (Super i kuq). I duhen edhe vetëm pesë ndeshje dhe ai do të barazojë Hans Siemensmejerin, i cili ka 278 ndeshje me Hanoverin (dhe të gjitha në Bundesligën 1). Edhe Jurgen Bandura (298 ndeshje) është i arritshëm nga Lala. Vetëm Peter Anders (458 ndeshje) dhe Rainer Shtiler (362 ndeshje) nuk mund të arrihen nga “xhuxhi luftarak” shqiptar.

LAJM I BUKUR - Para dhjetë vitesh0 e gjysmë, Altin Lala u transferua nga Borusia Fulda te Hanoveri. Pas rikthimit në Bundesligën 1 në vitin 2002, Lala ishte për pesë vjet kapiteni i Hanoverit. Lala do të jetë përjetë një “Roter” (një i kuq). Edhe Jiri Shtajner (32 vjeç, do t’i zgjatet kontrata) do të luajë për Hanoverin. “Lala dhe Shtajner do të qëndrojnë ende te të kuqtë. Çfarë lajmi i bukur për Krishtlindje!”, - përfundon shkrimi i “Bild”-it.

DEBUTIMI
Lala u bashkua me Hanoverin më 21 korrik 1998 dhe zhvilloi ndeshjen e parë me këtë skuadër, më 30 korrik 1998, në fitoren 1-0 kundër Karlsruhes.

GOLAT
Si një mesfushor shkatërrues nuk dallohet për gola: vetëm 10 gola ka shënuar ai me fanellën e Hanoverit në 273 ndeshje, 1 në Bundesliga 1, 9 në Bundesliga 2.

SHIRITI
Lala luan që nga viti 1988 me Hanoverin. Për herë të parë u bë kapiten në sezonin 2004-2005 dhe e la shiritin në sezonin 2007-2008 në favor të portierit Enke.

KONTRATA
Altin Lala është ndër lojtarët më të vjetër te Hanoveri. Më 14 shkurt të këtij viti, ai ripërtëriti kontratën. Kjo aktuale skadon në verën e vitit 2009.

RENDITJA
Hanoveri, pas përfundimit të fazës së parë në Bundesligë me 17 pikë në 17 ndeshje, u rendit në vendin e 13-të nga 16 ekipe që ka Bundesliga gjermane.

70 NDESHJE
Kapiteni Altin Lala i ka të gjitha gjasat të hyjë në librin e rekordeve me përfaqësuesen shqiptare. Deri tani ka zhvilluar 70 ndeshje, tri më pak se Foto Strakosha (73).

GOLAT
Me Kombëtaren shqiptare, Altin Lala ka shënuar 3 gola. Golin e parë e ka realizuar në fitoren 3-1 kundër Rusisë, të dytin kundër Zvicrës (2-3) dhe të tretin kundër San Marinos (3-0)

Skeda e Altin Lalës

Datëlindja: 18.11.1975
Vendlindja: Kavajë
Lartësia: 1.72 m
Roli: Mesfushor shkatërrues
Klubi aktual: Hanover 96
Numri në fanellë: 8

Klubet në karrierë:
1993–1996: Dinamo (Shqipëri)
1996–1998: Borusia Fulda (Gjermani)
1998 e në vazhdim: Hanover 96

Ndeshje me Kombëtaren
Ndeshja e parë: 1994
Takime të luajtura: 70
Gola: 3

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›