E Diel, 1 Nëntor 2026

Kritikët e nacional-socializmit

Paraqitet antologjia “Tregime të gjuhës gjermane 1900-1945”. Autorë dikur të ndaluar në shqipe, të tjerë që u botuan me vështirësi dhe u përkthyen në mënyrë sporadike. Nga Man-ët tek Kafka, Benn, Roth dhe Brecht. Letërsia që mbyll luftërat

Vëllimi antologjik “Tregime të gjuhës gjermane 1900-1945”, i përgatitur nga studiuesi dhe përkthyesi Ardian Klosi së bashku me Jurgen Roehling specialist i letërsisë gjermane dhe anglistikës, prezantohet sonte në orën 19.00, në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, në Tiranë.

Përmbledhja e 28-të autorëve të famshëm të letërsisë të shekullit të XX-të, plotëson me 523 faqe antologjinë e hartuar një vit më parë nga po këta autorë me titullin “Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-së”, duke vazhduar kështu traditën e mirë të antologjive letrare, e ndërprerë për gati dy dekada.

Sipas Ardian Klosit “ky vëllim përmbledh autorë si Thomas e Heinrich Mann, Franz Kafka, Gottfried Benn, Josef Roth, Bertolt Brecht, etj., të cilët japin një pasqyrë të plotë të prozës më të mirë në këtë gjuhë gjatë kësaj periudhe.” Pra janë autorë që u lanë qëllimisht në zonën e letërsisë së censuruar, për dekada nga regjimi social-komunist, duke i hequr lexuesit të drejtën për t’i prekur në gjuhën shqipe.

Për Klosin, disa nga këta autorë “janë popullarizuar deri para vitit 1990-të falë kontributit të rëndësishëm të shqipëruesit Robert Schwartz, ndërsa shumë shkrimtarë mbetën të pasqyruar në mënyrë fragmentare.” Ai shton se “antologjia erdhi si nevojë për të evidentuar pozicionin e rëndësishëm të shkrimtarëve të mëdhenj të kësaj periudhe, të cilët kanë qëndruar për një kohë të gjatë krejt të panjohur ose të përkthyer në mënyrë sporadike.”

Është fjala edhe për autorë si Erich Kastner, Erich Maria Remarque dhe të tjerë që u ndikuan prej tij si Joseph Roth, Brecht, Anna Seghers, Kurt Tucholsky, Heinrich dhe Thomas Mann, janë pjesë e kësaj antologjie. Për një pjesë të tyre kjo përmbledhjeështë një njohje në mënyrë sintetike dhe frontale e “kritikëve të mëdhenj të nacional-socializmit.”

Vëllimi i parë “Tregimtarë të gjuhës gjermane pas 1945-ës”, i përgatitur nga të njëjtët hartues solli për lexuesin emra të padiskutueshëm si Bertolt Brecht, Heinrich Boll, Max Frisch, Gunter Grass, Elias Canetti, Elfriede Jelinik dhe shumë mjeshtër të tjerë të gjuhës gjermane, “një shkollë për të mësuar mjeshtërinë e tregimit dhe 40 tregime për të zbuluar realitete të reja dhe për të hyrë në skutat më të thella të psikologjisë njerëzore.”

Tekstet e përkthyera nga Afrim Koçi, Ardian Klosi, Adhurim Lako, Lindita Arapi, Sonila Sadikaj, Jonila Godole dhe Doreida Kafexhiu, prezantohen sonte me rastin e botimit të kësaj antologjie. Ka pjesë që do të interpretohen nga aktori Alert Çeloaliaj I cili ka zgjedhur pjesë nga tekstet e Franz Kafka-s, romancier dhe ikonë e letërsisë gjermane. Më pas aktiviteti pasohet me shfaqjen e filmit “Procesi” nga Orson Wells, bazuar në romanin me të njëjtin titull të Kafka-s, me interpretimin e aktorëve Anthony Perkins, Jeanne Moreau, Romy Schneider.

Ky vëllim u realizua në sajë të Shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane “Robert Schwartz” dhe “Instituti Gëte”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›