E Diel, 1 Nëntor 2026

Nicola Zorzi: Luçia, një grua mes mureve

Regjisori italian flet për konceptin e operës premierë “Lucia Di Lammermuur”

E bukur dhe e dashuruar, e brishtë dhe e lënduar, e çmendur dhe në fund vrastare. Kështu e mendon “Lucia Di Lammermuur”-in regjisori italian Nicola Zorzi, të cilit Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit i ka besuar “opera seria”-n e Gaetano Donixetit.

Vepra dramatike e vendosur brenda mureve të lartë të kështjellës së Ravenswood-it në Skocinë e shekullit të XVI-të, përfshin të gjithë elementët e romanticizmit si dashurinë e kundërshtuar dhe të pamundur, ndarja me anë të mashtrimit, martesa e detyruar dhe në fund vdekja në atmosferën e aluçinacioneve.

Ka qënë pikërisht kjo operë që e ka joshur sopranon shqiptare Oriana Kurteshi për t’u rikthyer pas 10 vitesh si soliste në skenën e TOB-it, ku ajo ruan një pjesë të kujtimeve të fillimit të karrierës së saj artistike.

Për regjisorin Zorzi kjo është një operë komplekse dhe e vështirë ku këngëtarëve iu duhet jo thjesht të këndojnë dhe të dëshmojnë aftësi vokale, por kjo gjuhë e muzikës duhet të jetë e lidhur ngushtë me gjuhën fizike, me gjestet dhe lëvizjet trupore.

Në mënyrë simbolike, gjendja shpirtërore e personazheve, sidomos e Luçies, jepet me praninë e atij muri të errët, i vendosur në qendër të skenës, i cili mbyllet dhe në njëfarë mënyre vendos fatin e protagonistes. “Kur e shoh Oriana Kurteshin dhe personazhin që interpreton, në momentet e saj të lumturisë, tek njohja e saj me Edgardin, djalin me të cilin shkëmben unazat në shenjë të dashurisë së përjetshme, atëherë skena hapet, merr frymë”, sqaron Zorzi.

Për regjisorin italian kjo është hera e parë që vjen në Shqipëri, por me artistët shqiptarë është njohur më herët. Një ndër ta është sopranoja Inva Mula. Pas “Luçies shqiptare”, Zorzit nuk i pret puna për një produksion të rëndësishëm në Palermo, për “Aidën” e Zeffirellit

Opera dramatike “Lucia Di Lammermuur” një nga operat përfaqësuese të bel-canto-s italiane do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në datat 1-2-4-5 nëntor, dhe rikthehet më 22 nëntor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›