Adriano ngushëllohet me Brazilin
21/05/2005 Sa vjen e ftohet marrëdhënia mes Adrianos e Interit dhe kjo për shkak të zgjedhjeve të trajnerit Roberto Mançini, i cili e ka lënë në stol lojtarin edhe gjatë ndeshjes së Kupës së Italisë, kundër Kaljarit. Braziliani nuk e ka pëlqyer aspak këtë përjashtim të ri dhe ka lëshuar edhe një koment tepër kritik: “Isha përgatitur shumë për të luajtur në këtë ndeshje dhe u bezdisa shumë nga fakti që qëndrova në stol, sepse nuk e prisja. Gjithsesi, nuk kam biseduar akoma me askënd, të shohim”. Deklaratë që lë të nënkuptohet pakënaqësia e madhe e Adrianos, por nuk është hera e parë që kjo gjë ndodh, pasi e njëjta situatë është parë edhe pas derbit të fundit të kampionatit, kundër Milanit. Shtypi spanjoll është i sigurtë: Reali i Madridit dhe Çelsi po i ndjekin me mjaft interes zhvillimet e fundit. Në rast divorci, Reali do ta priste me krahë hapur, ndërkohë që edhe tifozët madrilenë do të ishin të lumtur të ndaheshin nga Ronaldo, që nuk është më i paprekshëm në Madrid. Ndërkaq, edhe Kombëtarja braziliane nuk ka lëshuar, pasi e ka grumbulluar Adrianon për Kupën e Konfederatave, në program nga 15 deri në 29 qershor. Në këtë mënyrë, Interi do të luajë finalen e Kupës së Italisë pa bomberin e saj, megjithëse javët e fundit drejtuesit zikaltër bënë të pamundurën për ta mbajtur. Drejtuesit zikaltër u përpoqën të bindin edhe Adrianon të mos pranonte grumbullimin, por ky i fundit nuk ka pranuar, ndoshta edhe në shenjë proteste ndaj trajnerit Mançini, që ka kohë që nuk po e aktivizon. Të paktën me Kombëtaren e vendit të tij do të ketë mundësi të tregojë se sa vlen, pavarësisht se kjo do t’i kushtojë një verë tjetër pa pushime.