Aksidentohet 75-vjeçari, e përplas betonieria
21/05/2005 SHKODER – Mëngjesin e djeshëm rreth orës 08:30, në lagjen “Perash” të qytetit të Shkodrës një automjet tip betonierë, në drejtimin e së cilës ishte shtetasi Ferdi Shetani, ka aksidentuar me vdekje një shtetas 75-vjeçar. Sipas burimeve policorem betonieria ka qenë duke lëvizur në rrugën e re të lagjes “Perash”, por në momentin e kalimit te kryqëzimi i kësaj rruge ky mjet ka përplasur përtokë të moshuarin Hajri Duka. I moshuari ka qenë duke ecur me biçikletë në këtë rrugë, kur papritmas ka marrë goditjen fatale për të. Kalimtarët e rastit dhe vetë drejtuesi i mjetit janë përpjekur t’i vijnë menjëherë në ndihmë, por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi plagët e marra në kokë dhe në trup, kanë qenë vdekjeprurëse. Pas aksidentit, në vendngjarje kanë shkuar blutë e Shkodrës, që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, bllokimin e betonieres dhe shoqërimin e drejtuesit të saj, për të vazhduar më pas me hetimin për shkaqet e këtij aksidenti.