E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Djalli” nis operacionin “Xhilardino”

21/05/2005  Pavarësisht thashethemeve dhe përgënjeshtrimeve, Milani nuk ka hequr aspak dorë nga Alberto Xhilardino, i cili mbetet objektivi kryesor i kuqezinjve për sezonin e ardhshëm. Pasi ka ngurruar pak, për shkak të shifrës marramendëse prej 50 milionë eurosh që kërkon Parma, klubi kuqezi ka vendosur gjithsesi të blejë sulmuesin e Kombëtares italiane. Strategjia kuqezi është e lidhur me disa faktorë: në radhë të parë, dihet që Xhilardino dëshiron të shkojë te Milani, për të arritur pjekurinë e plotë në prag të kampionatit botëror të vitit të ardhshëm. Pastaj, Milani e di shumë mirë që shifra që kërkon Parma, në realitet nuk mund të arrihet nga askush: edhe Çelsi, që i ka mundësitë, preferon t’i shpenzojë për Adrianon. Praktikisht, çmimi i vërtetë i Xhilardinos vërtitet te 20 deri në 30 milionë euro, ndaj Milani ka filluar punën për të mbledhur fondet e nevojshme për këtë operacion, duke qenë se presidenti Berluskoni nuk do të kryejë një shpenzim nga financat e veta, duke parë edhe rolin e tij si kryeministër i Italisë. Për të grumbulluar “të holla”, duhet të jenë 4, lojtarët që do të lënë Milanon. I pari, sipas roleve, është Kristian Abiati, i cili ka oferta nga Palermo dhe Vilareali dhe nga shitja e tij mund të vinin 3 deri në 5 milionë euro. Gjithashtu, 3 milionë euro mund të vijnë nga shitja e kroatit Dario Simiç, që mund të kalojë te Evertoni. Në mesfushë do të largohet Broki, i cili pëlqehet shumë nga Lacio dhe do të përfshihej në tratativën që do të sjellë në Milano Masimo Odon. Megjithatë, lojtari që mund të sjellë më shumë të ardhura në arkat kuqezi është Jon Dal Tomason, i cili kërkohet nga gjithë Evropa. Oferta e fundit ka ardhur nga Lioni, që ka vënë në “pjatë” 10 milionë euro. Pra, në total do të grumbulloheshin 15 - 20 milionë euro, një shifër që do t’i lejonte Milanit të hidhej qetësisht në sulm për Xhilardinon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›