Kthehej nga Tirana e shtyp furgoni 27-vjeçaren
21/05/2005 SHKODER – Aksidenti i dytë fatal, i ndodhur ditën e djeshme në rrugët e Shkodrës, është shenuar rreth orës 14:45, në autostradën Shkodër-Lezhë, pranë fshatit Bërdicë. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, nga një automjet tip furgon “Ford” me targa të Lezhës, LE 49-93 A, në drejtim të të cilit ishte shtetasi Zef Ndoja. Këtë radhë, viktimë e aksidentit ka qenë një e re 27-vjeçare. Ka qenë shtetësja Valbona Gjuraj, nga fshati Pentar i komunës së Dajçit, e cila ka gjetur vdekjen nga ky automjet. Shtetësja në fjalë, pasi ka kryer udhëtimin nga Tirana në drejtim të fshatit të saj është ndalur për të kaluar në rrugën tjetër, që të shpinte te shtëpia e saj. Por në momentin e ndërprerjes së rrugës, ka qenë duke kaluar furgoni i Lezhës që po transportonte disa fëmijë nga Shkodra në Lezhë, i cili e ka përplasur të renë, duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë bërë bllokimin e automjetit dhe shoqërimin e drejtuesit të tij.