Adriano rigjen golin
07/03/2005 Në fund të një jave “të zezë”, pas lënies në stol gjatë derbit, Adriano kthehet te goli, që i mungonte që prej 12 dhjetorit të kaluar, por nuk rigjen buzëqeshjen. Pas një “thatësire” gati 3-mujore, gjithkush do të priste që kthimi te goli, për Adrianon të ishte një moment i madh gëzimi, por nuk ndodhi kështu. Rigjetja e atij që është objektivi kryesor për një sulmues si Adriano, pra goli, nuk ka mjaftuar që braziliani të harrojë polemikat dhe vuajtjet e javëve të fundit. Është e kotë të mohohet që përjashtimi nga derbi i ka mbetur peng sulmuesit zikaltër, i cili nuk e priste të ulej në stol për 80 minuta, pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, ndaj Milanit. Përveç vendimeve të çuditshme të Mançinit, Adriano është trishtuar edhe nga ofendimet që ka marrë nga një pjesë e tifozerisë zikaltër, që ka harruar shumë shpejt “bëmat” e Adrianos këto vitet e fundit. Për të ngritur moralin e brazilianit të trishtuar, në qendër të zërave të merkatos, nuk ka mjaftuar as goli i rëndësishëm shënuar ndaj Leçes. Braziliani është përpjekur shumë në fushë, por është akoma larg lojtarit që njohim të gjithë, sepse ka humbur disa raste të pastra dhe nuk festoi pas golit të shënuar me penallti. Një gjest proteste ndaj Mançinit? Me siguri, marrëdhëniet midis tyre mbeten të ftohta dhe larg normalizimit. Mançini, i pyetyr në fund të ndeshjes, minimizon gjithçka: “Nuk kam folur akoma me Adrianon, por jam i kënaqur për të, sepse rigjetja e golit pas shumë kohësh është shumë e rëndësishme për një sulmues. Tani po rigjen formën dhe lëvizjet e disa kohëve më parë. Mungesa e festimit pas golit? Më ka ndodhur dhe mua ta bëja kur luaja dhe jo gjithmonë shpreh protestë”. Megjithatë, askush nuk mund ta mohojë se marrëdhënia me Adrianon duhet rregulluar dhe rindërtuar, sepse “sirenat” spanjolle janë gjithmonë e më të qarta.