E Hënë, 2 Nëntor 2026

Titulli më i afërt me gozhdën

07/03/2005  Javën e fundit më ra në dorë romani "Puthja e udhëheqësit" i Jonila Godoles, të cilin e lexova me një frymë dhe, kur arrita diku andej nga mesi, më ndodhi diçka që më bën vaki jo me shumë vepra: më prishi rutinën e ditës. Për tw mposhtur tundimin ta arrija sa më shpejt në faqen e fundit, një mbasdite i shtyva mënjanë gjithë detyrimet e ditarit vetjak, për t’i larë një herë e mirë hesapet me Puthjen… Më tej, po vazhdoj duke huajtur fjalinë e fundit të romanit (por jo fjalia e fundit e librit): "Papritmas më shkrepi një ide dhe u ngrita, të merrja laps e letër…". Pse fjalia e fundit e romanit dhe fjalia e fundit e librit nuk janë e njëjta gjë, do të bjerë rasti të shpjegohem.

Më së pari, dua të vë në dukje se zonja Godole duhet të falënderojë vitet e kaluara si gazetare, profesion, të cilit i ka lënë lamtumirën, duke marrë me vete një mjeshtëri të shkruari që do t’ia kishte zili edhe Remarku. Nuk e mbaj mend me saktësi kur e kam lexuar për herë të parë "Asgjë e re nga fronti i perëndimit", por, edhe pse nuk i jam rikthyer më atij libri, s’më shqitet nga mendja pyetja që i bëra vetes: "A mund të shkruhet me kaq indiferencë, kur ndodhesh në mes të frontit dhe i qarkuar nga kufoma?" Te "Puthja…" gjaku që derdhet është ose pasojë e menstruacioneve, ose zhvirgjërimi, një herë shfaqet në tehun e thikës së një krimineli, ndërsa, një herë tjetër nuk është as gjak, por lëng luleshtrydhesh…, pra nuk është e njëjta situatë terrori me luftën e parë botërore si te Remarku, por të dy autorët shquhen për thjeshtësinë e të shkruarit: personazhe, dialogje, ndodhi, pejsazhe, e gjithfarë hollësish të nevojshme, të lira, të flasin me praninë e tyre. Ose, të paktën, kështu ndodh në dukje.

"Puthja…" nuk ka subjekt në kuptimin klasik të fjalës, është reportazh mbi jetën e një vajze që ka "lindur për gjëra të mëdha", që në një miting "e puth udhëheqësi", që ka fatin të vizitojë Bllokun, që një ditë shijon luleshtrydhe prej vërteti, që i bën çunat e lagjes dhe shokët e klasës t’u thahet pështyma në grykë, që di kur ta bëjë zap zemrën e t’u thotë jo djemve që ka dashur me mend të kokës – qofshin këta edhe kushërinj, që kur gjen dashurinë e vërtetë flet për gjëra krejt të tjera, që rrezikon të përdhunohet nga një gangster, me nofkën të grabitur nga filmat, që krijon lidhje me njerëz shumë të rëndësishëm dhe kujton, se bota është aq transparente sa mendon një gazetare njëzet e pak vjeçe, që shefi e provokon me këmbë poshtë tavolinës dhe ajo i jep përgjigjen, që një ditë bëhet trashëgimtare e një pasurie përrallore, vetëm për një ditë, që në fund zhgënjehet nga gjithçka dhe vendos t’i japë lamtumirën… Kjo është, në pak fjalë, jeta e Iona Kosta Boros, që ka lindur e verbër.

Në romanin e famshëm, "Një mijë nëntëqind e tetëdhjetë e katër", të Orwell-it, të cilin jam duke e përkthyer, Uistoni, falë detyrës që ka në Ministrinë e të Vërtetës (ku bëhen vetëm fallsifikime), pas gati 40 vjetësh diktaturë, si rrjedhojë e shumë fallsifikimeve që i janë bërë historisë, pas vendosjes së pushtetit të Partisë (madje edhe vetë fallsifikimet janë fallsifikuar pafundësisht), bëhet kurioz për jetën para Revolucionit. Mirëpo gjithë moshatarët e tij, apo ata që kishin qenë fëmijë para vendosjes së pushtetit të Partisë, kanë gëlltitur shumë gënjeshtra, ndërsa pleqtë janë të rrallë, madje edhe një që takon e ka kujtesën të shpartalluar. Eshtë një rastësi, por, pikërisht, këtu zë fill edhe "Puthja…". Me një vajzë që nuk mund t’i shohë format, ngjyrat e lëvizjet dhe "alteregoja" e saj, pa kujtesë.

Godole është treguar e kujdeshme dhe këmbëngulëse që të dy Ionat, njeriu dhe metafora, të mos kërcasin në asnjë pikë. Iona e parë lind me këmbë e duar, por e verbër, një ditë e ysht një grua dhe fiton dritën e syve, dhe vazhdon të jetojë jetën, me gjithë peripecitë e fëmijërisë, adoleshencës apo rinisë, gjithmonë të vëna në dukje me shumë pak detaje, por që të ngjiten në mendje. Ndërsa, Iona e dytë, shoqëria si një e tërë, përgjatë gjithë romanit vazhdon të ketë luhatje me vështrimin. Verbëria që i ka rrënjët tek puthja e Udhëheqësit, të cilin ajo e do marrëzisht, që beson me sinqeritet se ai është burimi i gjithë të mirave. Por kjo nuk zgjat përjetësisht. Një ditë, Iona shkon në kamp dhe, në konkursin e poezisë dhe, me një poezi që e kishte shkruar dikush tjetër. Fiton vajza e njërit nga banorët e Bllokut. Më pas, shikon që në Bllok shijohen përditë luleshtrydhe e vishen xhinse. Më vonë dëgjon që vriten ata që arratisen, mëson fjalën "kriminel", mëson se në Korfuz, bota e ndaluar – vendi përballë me qytetin e saj të fëmijërisë, i cili mban "erë peshk" edhe pas shumë vitesh – jeta nuk është ashtu siç i është rrëfyer asaj dhe, të gjitha këto ndryshime flasin edhe për dritën e syve, që fillon t’i vijë dalë-ngadalë Ionës së dytë, e cila nuk vjen kurrë e plotë, sepse ceni kërkon edhe ca goditje të tjera që të përmirësohet, si për shembull, shkërmoqja e piramidave apo rënia e një qeverie që përcillet me mjeshtëri nëpërmjet një ëndrre.

Eshtë e vështirë të flasësh, me shumë hollësi, për një roman që përfshin aq shumë kohë, ngjarje dhe kuptime; gjithë ç’po hedh në letër më kanë ngelur në mendje, veç me një lexim. Nuk mund të harrohet krimineli Toni Montana që pyet Ionën: "E di pse nuk e shplaj thikën?”. Dhe përgjigjet po vetë: "Sepse e përdor përditë". Këtij dialogu rrëfyesja i shton edhe një dëshmi të syve të saj: "…më rrëmbeu çantën, nxori diktofonin, pastaj kasetën dhe e copëtoi me dhëmbë". Me detaje kaq të spikatura, i vizaton autorja edhe gjyshin, gjyshen, Martinin, Bimin, e me radhë. Madje, ka edhe një personazh, Mister Trupi, që ajo e vizaton, duke e përmendur vetëm një herë si emër. Heshtja e bën edhe më të përsosur figurën e tij: ajo vajzë që përbuz gjithë mënyrat banale të shfaqjes së dashurisë, që në fakt duhet thënë janë "lypje sade", njeh anën tjetër të fitimit të një zemre, siç – fillon të mendojë lexuesi – ia ka fituar djali, që ajo e zë në gojë fare kalimthi.

Nuk mund të mos lë pa përmendur dy nga majat e ajzbergëve të nëntekstit:

"Dhoma jonë ishte e vogël, lyer ngjyrë kanarine, në mur vareshin fotografitë e mia, një e martesës së prindërve dhe portreti i Udhëheqësit. Pranë tij, Flora kishte vendosur edhe faqen e gazetës, ku ai më puthte. Emrin e kishte të shkruar mbi çdo fasadë, bustet ia shihje në çdo qoshe dhe veprat e zbukuronin bufetë e çdo dhome pritjeje".

Dhe një ëndërr:

"Martini kishte veshur një palë pantallona kadife jeshile dhe një kapelë sportive. Në dorë mbante një lopatë, me të cilën gërmonte. Papritur, trupi iu lëkund dhe unë pata frikë, se do të rrëzohej në gropën që po hapte. "Mos e lër të bjerë!", i thirra dikujt, që po kalonte aty pari, e që m’u bë sikur ishte F., por ai vetëm buzëqeshi. "Nuk mund ta ndal. Nuk e sheh, që do të bjerë brenda?". Brofa në këmbë dhe u turra ta ndaloja Martinin, që të mos zhdukej në dhe. "Mooos!". U lëkunda kur këmba e tij e djathtë u lëkund në ajër, pastaj u zgjova".

Vetëm këto dy paragrafë mjaftojnë për të kuptuar se, Godole nuk është gazetare që di të shkruajë një reportazh të gjatë, por një shkrimtare që di të shkruajë një roman të gjatësisë mesatare dhe të cilësisë më të lartë. Dhoma e shembullit të parë është një dhomë që rrethohet nga katër shtete, laget nga dy dete dhe gjendet edhe në hartë. Por, kur shoqëria është në fëmijërinë e saj edhe hapësira nuk mund të jepet më e madhe se një fole apo dhomë – kjo e fundit është më e qëlluar se muret ta përcjellin padashur idenë e izolimit.

Ndërsa në shembullin ka më shumë presje, që ndokujt mund t’i duken edhe të tepërta, por është krejt e kundërta. Aty përmendet edhe një gjymtyrë e trupit të njeiut edhe fjalia "Nuk e sheh, që do të bjerë brenda?" edhe togfjalëshi "pastaj u zgjova", por nuk do të thellohem në shpjegime sepse mbeten shumë pak gjera për t’u zhbiruar nga kureshtja e atyre që s’e kanë lexuar librin. Ju them vetëm kaq: gjithë simbolet e ëndërrës janë shqetësimet e një shoqërie, që me vit kalendarik, edhe pse në libër nuk përmendet, i bie të jetë 97-ta.

Por, ka edhe do gjëra që janë të tepërta. Për shembull, kur thuhet "vendi im", apo "bashkombasit e mi", pa dashur, kjo e specifikon lexuesin, ndërkohë që s’është nevojshme të bëhet. Ndërsa retiçencat mund të mos përdoreshin aq shpesh, se pastaj nxjerrin në pah – e kuptueshme për një roman të parë – drojën e autores se mos nuk pikaseshin nga lexuesi nojmat e metaforave. Dhe, sikur dorëshkrimi të më kish rënë në dorë para se të futej në botim, do të kisha dhënë edhe ryshfet që pjesa "Në vend të epilogut", të mos ishte përfshirë, sepse nuk shton gjë; kjo është arsyeja pse, për mua, fjalia e fundit e romanit nuk është fjalia e fundit e librit. Megjithatë, dy Ionat vazhdojnë të ecin, por jo me të njëjtin ritëm. Iona metaforike, ajo, shtëpia e sëcilës gjendet në hartë, ka kaluar vetëm periudhën e naivitetit – fëmijërinë, ka fituar dritën e syve dhe pret të rritet. Ndërsa Iona e "lindur për gjëra të mëdha", ka jetuar fëmijërinë, periudhën e hallakatjeve – rininë, dhe ka shkruar një roman, më të mirë ndër moshatarët e saj. Në radhën e prozave shqiptare të pas nëntëdhjetës që kam lexuar "Puthja e Udhëheqësit", është titulli më i afërt me gozhdën që e mban këtë listë varur në mur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›