E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 janë "pasaporta" e Shqipërisë për në BE

07/03/2005  Ministrja Ermelinda Meksi për "Metropol" thekson se ndarja elektorale ishte ccështje aritmetike dhe jo personale

Ministrja e Integrimit Ermelinda Meksi thekson se qeveria dhe Partia Socialiste janë të angazhuar në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në mënyrën sa më demokratike dhe konform standarteve të BE-së. Sipas saj këto zgjedhje janë pasaportsa e Shqipërisë, për integrimin në BE. Në lidhje me KOP-in, Meksi thekson se kjo është një inisiativë për reformë më shumë në Partinë Demokratike se sa në paraqitjen e alternativave në Shqipëri. Gjethësesi, ajo " Jam e ndërgjegjshme që dalja e KOP ka sjellë një frymë të re në realitetin tone, kryesisht të debatit publik, por mendoj se risia mbetet brenda PD-së dhe të opozitës në përgjithësi. Strategjitë që ofron KOP janë mirëfilli sfida reale dhe do thoja jo të lehta të vetë PD-së, pasi është kjo parti që do i duhet të provojë se i ka mundësitë të hartojë programe dhe strategji orientimi si dhe të kërkojë kapacitetet njerëzore të afta për ti zbatuar ato. Ndërsa PS-ja ka patur kurdoherë emancipimin e duhur politik për të përfshirë mendimin më të përparuar të kohës në hartimin e programeve të saj dhe personalisht besoj se është pikërisht kjo tendencë e konsoliduar tek ajo që ka sjellë edhe reflektime pozitive në gjirin e PD-së"

Zonja Meksi, sa i shërbejnë debatet politike dhe situata aktuale në vend integrimit tonë në Bashkimin Evropian?

Mendoj se debati është në vetvete rruga e progresit dhe avancimit të ideve në një shoqëri të hapur e demokratike. Kjo konsideratë e përgjithshme vlen pjesërisht, për temën në fjalë. Si ministre e Integrimit Europian mund të them me kënaqësi se kam pasur mbështetjen dhe përkrahjen e një numri të konsiderueshëm përfaqësuesish dhe grupimesh politike, të shoqërisë civile e medias, të cilët me prurjet e tyre në planin e ideve, sugjerimeve e pse jo kritikave, kontribuojnë që procesi i integrimit të zhvillohet në një sfond përkujdesjeje dhe monitorimi të vazhdueshëm publik. Por ky problem ka edhe anën tjetër të tij. Politizimi ekstrem i procesit ka si shfaqjen e tij kryesore një debat të ndezur e të rënduar, ku interesi politik dhe ai i momentit dominon arsyen dhe dimensionin

përfshirës që ka integrimi europian si projekt afatgjatë i daljes së vendit nga periudha e zgjatur e tranzicionit. Pyetja juaj kam idenë se i referohet më së shumti debatit politik për zgjedhjet e ardhshme dhe mazhoranca socialiste përmes angazhimit të shprehur qartë dhe në prononcimet publike, po demonstron përgjegjësinë në rritje për përballimin e sfidave dhe zhvillimin e një procesi normal zgjedhor.

Sigurisht që debatet politike kanë edhe koston e tyre në procesin reformues pasi shpesh herë procesi i Stabilizim-Asociimit dhe reformat reale ekonomiko-sociale janë të lidhura dhe të ndërvarura në një farë mënyre nga ky debat. Edhe raundi i 9-të teknik i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, nuk i shpëtoi politizimit, por përkundrazi, si pasojë e kompromisit të munguar deri në atë kohë për hartën zgjedhore. Nëse do të kishte qenë ndryshe, progresi në bisedime do të ishte më i dukshëm, notat e BE-së do të ishin me optimiste dhe inkurajuese për vazhdimësinë e procesit dhe reforma ekonomike do të merte më shumë nga vemëndja publike dhe mediatike. Por, gjithësesi tashmë që marrëveshja mes forcave politike është arritur dhe Kuvendi ka dhenë “bekimin” e tij, reforma zgjedhore ka arritur progres dhe negociatat e rradhës teknike për MSA-në që do të zhvillohen në muajin prill mendoj se do të shënojnë një hap tjetër më afër Evropës.

BE ka thënë që nuk mund të realizohet përfundimi i asocim-stabilizimit para përfundimit të zgjedhjeve. Si është vleresuar kjo deklaratë nga qeveria shqiptare?

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një parameter bazë i matjes së shkallës së demokracisë të një vendi. Për pasojë, e gjykoj si normal shqetësimin e BE-së për të parë një proces të stabiliziuar, të drejtë e transparent zgjedhor në verën e ardhshme.

Sigurisht që ky proces mbetet një nga pikat kritike të ecurisë së reformave integruese që ka ndërmarë Shqipëria dhe qeveria shqiptare i ka kushtuar vëmendjen e duhur për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe të drejtë për të gjithë aktorët politik. Por, procesi zgjedhor absolutisht nuk mund të njësohet me reformen si të tërë pasi procesi integrues i tejkalon dimensionet e zgjedhjeve dhe qeveria po punon edhe në drejtim të reformës në fusha të tëra të zhvillimit ekonomik, politik, social, kulturor të një vendi aspirant si Shqipëria. Në raundin e ardhshëm do të jemi shumë afër përmbylljes nga ana teknike të Marrëveshjes por sigurisht që finalizimi i saj do të ndodhë pas procesit zgjedhor. Demokracia, ekonomia e lirë e tregut, prosperiteti dhe respektimi i standarteve zgjedhore sigurisht që janë parime të rëndësishme të familjes evropiane të cilat ne po i përkrahim dhe po përpiqemi ti respektojmë hap pas hapi.

Komisioni Parlamentar i Integrimit ka theksuar se mes këtij komisioni dhe Ministrisë së Integrimit Evropian duhet të kenë një kordinim më të madh të punës. Do të thotë kjo që ky detyrim nuk është arritur deri tani?

Përsa i përket detajeve konkrete, do të thoja që përveç takimeve periodike me Komisionin parlamentar, ne informojmë atë vazhdimisht për çdo aspekt të procesit të Stabilizim Asocimit me theks këtu në procesin e negociatave. Në këtë pikë kemi qenë gjithmonë të interesuar për të kaluar përtej marrëdhënieve të ngurta institucionale qeveri-parlament dhe për të krijuar një ambient më të plotë bashkëpunimi si dy struktura homologe në platformat përkatëse të legjislativit dhe ekzekutivit. Në procesin e negocimit teknik të MSA dhe në përgjithësi të realizimit të reformave dhe rekomandimeve që lidhen me integrimin, ne kemi konsideruar Kuvendin si një aktor dhe partner mjaft të rëndësishëm me një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces. Kjo sepse Kuvendin e kemi parë si institucionin ku në mënyrën më të dukshme duhet të shfaqej vullneti politik i të gjitha kaheve dhe ngjyrave në mbështetje të integrimit Europian. Nga ana tjetër, kemi konsideruar Kuvendin si një institucion, i cili mund dhe duhet të luajë një rol monitorues ndaj qeverisë në këtë proces reformash. Brenda Kuvendit, institucioni që lidhet më ngushtë me aktivitetin e Ministrisë së Integrimit Evropian sigurisht që është Komisioni i Integrimit. Të bindur për domosdoshmerinë e këtij bashkëpunimi, ne kemi mbështetur kthimin e tij në një strukturë të përhershme. Duhet të kuptojmë që një pjesë e kërkesave të procesit duhet të realizohet nga institucione që janë në varësi të Kuvendit dhe në këtë kuadër roli mbikqyrës dhe lehtësues i tij dhe i Komisionit në veçanti është shumë i rëndësishëm. E kemi konsideruar këtë Komision si një partner dhe e kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme lidhur me zhvillimet e raundeve të negociatave, të Grupeve të Përbashkëta të Punës BE-Shqipëri (CTF-ve) dhe problematikave të tjera që lidhen me procesin e integrimit. Kemi zhvilluar takime të herëpashërshme me anëtarë të këtij Komisioni në varësi të problematikave dhe kemi raportuar para këtij Komisioni sa herë që na është kërkuar. Sigurisht, që vend për përmiresim lidhur me koordinimin e punëve midis Ministrisë dhe komisionit ka dhe ne jemi të hapur ndaj sugjerimeve apo vërejtjeve për përmiresim në marrëdhëniet tona me të.

BE ka dhënë një sërë detyrimesh për Shqipërinë. Si mendoni se janë realizuar këto detyrime dhe cilat janë pikat që kanë ngelur pa u zgjidhur?

Detyrimet nga negocimet me Bashkimit Evropian kanë dimensionin teknik ose të njohura ndryshe si negociatat për konkludimin e Marrëveshjes së Stablizim Asociimit dhe dimensionin politik, të njohur ndryshe si takimet e përbashkëta konsultative. Në rrafshin teknik, leximi i parë i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe protokolleve të saj ka përfunduar, ndërkohë që jemi në proces diskutimi të dispozitave tranzitore për të cilat palët po synojnë të konvergojnë qëndrime të përbashkëta.

Nëse flasim me konkretisht, deri tani janë zhvilluar 14 raunde negociatash nga të cilat pesë raunde zyrtare dhe nëntë raunde teknike. Shqipëria ka përfunduar në leximin e parë 135 nene të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërsa mbeten për tu rinegociuar 29 nene dhe disa anekse e protokolle. Por kuptohet, që për të pasur një marrëveshje të zbatueshme në terma reale, ne do të duhet të vazhdojmë investimin e nisur në lidhje fuqizimin e kapaciteteve administrative në mënyrë që administrata të përballojë sfidën të bëjë të vetën angazhimet që burojnë nga kjo marrëveshje.

Në rrafshin politik, zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, demokratizimi i jetës parlamentare, sundimi i ligjit, përmirësimit i legjislacionit në fushën e medias, përmirësimi i kushteve në institucionet penitenciare mbeten disa nga problematikat më të rëndësishme për t'u adresuar nga i gjithë faktori politik shqiptar.

Ti kthehemi zhvillimeve në Partinë Socialiste. Në prag të zgjedhjeve a është e përgatitur PS të përballojë sfidat e strategjive që ofron KOP-i i Partisë Demokratike?

Partia Socialiste është një forcë politike që drejton vendin prej tetë vjetesh. Për pasojë, bilanci i saj politik përkon me atë të reformave dhe qeverisjes së vendit në harkun kohor 1997-2005. Nga ky këndvështrim, mendoj se një konsiderim retrospektiv i asaj çka është arritur, përbën një element thelbësor të fushatës tonë, përkundër tendencës së forcave apo individëve të caktuar që shfaqen skeptike dhe kritike ndaj kësaj metodologjie elektorale. Duke mos u kufizuar në funksionin tim ekzekutiv, si anëtare e kryesisë së PS-së mund të them se gjatë katër vjetëve të fundit kemi arritur t’i japim përmasë dhe të konsolidojmë një bazë solide për ndërtimin e një shoqërie të hapur për reforma, që zbaton ligjin dhe një shteti që respekton të drejtat e shtetasve te tij. Gjatë viteve të fundit Shqipëria ka hapur negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ka fuqizuar institucionet e shtetit dhe ka kryer shndërrime të rëndësishme në ekonomi dhe sektorët e tjerë të vendit. Në planin e politikës së jashtme, vendi ynë ka vijuar të jetë një faktor paqeje e stabiliteti e kjo e ka përmirësuar imazhin e Shqipërisë në botë. Për këto arsye, PS është në rrugë të mbarë për të dalë para zgjedhesve me një platforme elektorale që mbart në vetvete përvojën dhe sigurinë e një force politike që i njeh rrugët ku duhet shkelur për ta afruar vendin me pjesën tjetër të Europës së Bashkuar. Prandaj, formula emergjence politike ajo e KOP apo ndonjë lëvizje tjetër e lidershipit të opozitës, nuk e rrezikojnë garën që kemi nisur, sepse PS është e bindur se në këtë maratonë të gjatë zhvillimi të gjithanshëm ajo matet me vetveten, me kapacitetet dhe aftësinë e saj për t’iu përshtatur nevojave të vendit. Partia Socialiste ka arritur gjatë gjithë këtyre viteve të përsosë vazhdimisht mënyrën e qeverisjes duke hartuar dhe zbatuar një kuadër koherent reformash për zhvillimin e vendit. PS-ja nuk mund dhe nuk do ti lejojë vetes luksin e përhumbjes së vëmendjes nga axhenda e saj e reformave që kanë në boshtin e tyre integrimin europian. Jam e ndërgjegjshme që dalja e KOP ka sjellë një frymë të re në realitetin tone, kryesisht të debatit publik, por mendoj se risia mbetet brenda PD-së dhe të opozitës në përgjithësi. Strategjitë që ofron KOP janë mirëfilli sfida reale dhe do thoja jo të lehta të vetë PD-së, pasi është kjo parti që do i duhet të provojë se i ka mundësitë të hartojë programe dhe strategji orientimi si dhe të kërkojë kapacitetet njerëzore të afta për ti zbatuar ato. Ndërsa PS-ja ka patur kurdoherë emancipimin e duhur politik për të përfshirë mendimin më të përparuar të kohës në hartimin e programeve të saj dhe personalisht besoj se është pikërisht kjo tendencë e konsoliduar tek ajo që ka sjellë edhe reflektime pozitive në gjirin e PD-së.

Sa e impenjuar është PS për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme kur dihet se procesi zgjedhor është përcaktues për integrimin e vendit?

Partia Socialiste është seriozisht e angazhuar në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare sa më të lira, të ndeërshme, sipas standarteve dhe demokratike, duke ndjerë një përgjegjësi të dyfishtë: së pari, është parti politike në pushtet prej rreth tetë vitesh dhe së dyti është partia më e madhe politike e vendit. PS ka bërë dhe po bën përpjekjet maksimale që zgjedhjet në Shqipëri, si ato lokale edhe të përgjithshme, të zhvillohen në një mënyrë sa më demokratike dhe transparente dhe në përputhje me të gjitha standartet e njohura ndërkombëtare. Ne kemi theksuar se me të rëndësishme janë standartet e zgjedhjeve se sa fituesit dhe kjo nënkupton një angazhim total të forcës tonë politike për të zbatuar dhe respektuar standartet.

Zgjedhjet e verës 2005 marrin një rëndësi të veçantë për shkak të mundësisë së madhe që në rast të realizimit të tyre në mënyren me optimale të mundshme dhe të pakontestueshme nga askush, kjo do të konsiderohej edhe si një ‘pasaportë’ për përmbylljen e procesit të negociatave të MSA që Shqipëria po zhvillon prej dy vitesh me BE-në. Kjo do të ishte jo vetëm një arritje e madhe politike e PS-së apo e qeverisë së saj, por edhe e të gjithë klasës politike dhe shqiptarëve në tërësi. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria u integrua në Europë, por gjithsesi mund të konsiderohet si hapi i parë në integrimin me shumë faza të vendit tonë në BE, si anëtar i ardhshëm me të drejta të plota. Arritja e kompromisit politik për ndarjen e re zgjedhore, dëshmojnë edhe një herë për vullnetin e fortë politik të PS-së për garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve të lira e të drejta në Shqipëri.

PS është mbërthyer në debate të brendshme lidhur me hartën e re elektorale për zgjedhjet e ardhshme. A mendoni se si forcë politike jeni tërhequr përballë presionit të ndërkombëtarëve duke i dhënë PD-së zona thuajse të sigurta dhe nga ana tjeter, duke ngatërruar zonat keni hapur një sherr të ri brenda forcës politike?

Sigurisht që procesi zgjedhor i këtij viti është nga më të rëndësishmit për rrugën e Shqipërisë drejt demokratizimit të mëtejshëm dhe integrimit euro-atlantik. Siç e theksova edhe më sipër tejpolitizimi i procesit zgjedhor solli edhe rritjen e tensionit politik dhe vështirësive për arritjen e një kompromisi në kohën e duhur. Dhe sigurisht që kjo do të kishë efektet e veta në arritjen e një hartë zonale jo perfekte por me disa deformime që besoj do të kenë koston e tyre në mbarëvajtjen e procesit. Përsa i takon fjalëve rreth “sherreve” të brendshme, dëshiroj të them se kompromisi për ndarjen e zonave ka marrë parasysh të tjera kritere nga ato personale apo partiake. Ashtu siç u tha edhe nga grupi i negociatoreve europiane, ky process kishte të bënte me aritmetikën dhe jo me politikën. Unë bashkohem me këtë përcaktim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›