E Hënë, 2 Nëntor 2026

Adriano zhgënjehet me Inter

02/03/2005  Sulmuesi brazilian nuk e ka pëlqyer qëndrimin në stol gjatë derbit dhe po mendon largimin

Derbi i s dielës ishte si një finale për Interin, fitore ose dështim, ndërsa tani që derbi dihet si mbaroi, momenti është i tensionuar në “kampin” interist. Më i tensionuari nga të gjithë është Adriano, i cili ka vuajtur shumë në stol të dielën dhe është futur kur nuk kishte më kohë as për të nxehur muskujt. Pas humbjes së trishtueshme kundër “kushërinjve të urryer”, Adriano është larguar i pari nga stadiumi “San Siro”, me kokën ulur dhe pa folur me askënd. Një tifoz e ka ngacmuar, nuk dihet me çfarë fraze (flitet se e ka ftuar të largohet te Reali), por kuptimi është i qartë: diçka ka krisur midis tifozëve (ose një pjese të tyre) dhe atij që tre muaj më parë ishte “Perandori” i tyre i paprekshëm. Në fakt, kjo është një histori e dëgjuar edhe më parë, por për arsye të ndryshme, me Vierin. Gjithçka ndodh sepse tifozët interistë e bëjnë çdo gjë me nxitim: lumturohen, adhurojnë, kritikojnë, shajnë. Tashmë tifozeria interiste ka gjetur zgjidhjen e “ekuacionit” Adriano. Braziliani luan keq dhe pa dëshirë prej disa muajsh, për shkak se nuk e dashuron më Interin dhe se dëshiron të largohet. Destinacioni nuk është mister, pasi vetë Adriano e kishte përmendur pak kohë më parë: Reali i Madridit, atje ku e presin krahëhapur. Një përfundim i nxituar, por jo totalisht i gabuar, kur sheh që vetë Morati frikësohet nga afrimi i Realit të Madridit, që pak vjet më parë i “vodhi” edhe Ronaldon. Një frikë që nuk do egzistonte nëse vetë Adriano nuk do ta mendonte hipotezën Real, por përjashtimi nga derbi, nuk bën gjë tjetër veçse e trishton brazilianin, i cili është mbyllur në vetvete dhe është takuar vetëm me miqtë e tij më të mirë. Ndoshta Mançini ka pasur të drejtë ta lerë Adrianon në stol të dielën, pasi dihej që Martins e Vieri po kalojnë një moment më të mirë fiziko-psikologjik, por ajo që të habit, është fakti se trajneri zikaltër i ka “rezervuar” brazilianit vetëm 9 minuta, sikur të bëhej fjalë për një lojtar normal, plotësues boshllëqesh. Tani vjen pjesa më e vështirë për Mançinin, pasi duhet të administrojë Adrianon jo vetëm nga ana fizike, por edhe ajo psikologjike. Braziliani po luan keq, por ndoshta fajin nuk e ka forma e tij fizike, por zhgënjimi nga një sezon që e sheh jo vetëm larg trofeve, por edhe larg fushës së lojës, në një kohë që klube të tjera do të bëni gjithçka për ta pasur. Në këtë pikë, lind pyetja: Është fajtor Adriano, sepse po mendon për largim, apo është fajtor Mançini, i cili po e “keqtrajton” fenomenin brazilian?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›