E Hënë, 2 Nëntor 2026

Filloi transformimi?

02/03/2005  Protestat popullore po nxisin autokratët të bëjnë ndryshime

Askush në Uashington nuk priste një rrjedhë të tillë të ngjarjeve pas zgjedhjeve në Irak. Jo shumë besojnë edhe sot që ado do të sjellin demokraci në Egjipt, Liban apo Siri, në një kohë të afërt. Por është një fakt historik që kolapsi i një rendi të kalbur politik ndodh me shpejtësi, dhe i kap në befasi pjesën më të madhe të ekspertëve

Këta janë autokratë, regjimet e të cilëve kanë mbetur të pandryshuar dhe të pasfiduar prej vitesh. Nuk ka patur aspak tronditje politike në Damask që nga vitet 1960, apo në Kajro që nga 1950. Tani, pak javë pas zgjedhjeve në Irak, Mubarak dhe Asad ndodhen të mëdyshur mes akteve të represionit, që do të shkaktonin reagime të fuqishme ndërkombëtare dhe premtimeve të mëdha për reforma

The Washington Post

Ndërkojë që mijëra arabë demonstronin për liri e demokraci në Bejrut dhe Kajro javën e kaluar, dhe udhëheqësit e Sirisë dhe Egjiptit u ndodhën nën trysni ndërkombëtare dhe të brendshme, ishte e vështirë të mos vrisje mendjen nëse transformimi rajonal, që administrata e Bushit shpresoi se do të nxitej nga pushtimi i Irakut, ka nisur të ndodhë.

Ata që e konsideronin luftën një katastrofë të pandreqshme kanë mëse një vit që e presin pridhjen e asaj që e konsiderojnë si iluzionin e Presidentit Bush për përhapjen e demokracisë në Irak dhe më pas në të gjithë rajonin. Mund të kenë të drejtë. Po atëherë, si mund të shpjegosh dhjetëra mijërat që marshuan në Bejrut me trëndafila të kuq e të bardhë, e që detyruan qeverinë të japë dorëheqjen. Njerëz që bënin thirrje për pavarësi dhe sovranitet nga Siria fqinje? Apo qindra protestuesit egjiptianë, që u mblodhën të njëjtën ditë në Universitetin e Kajros, në mosbindje ndaj mijëra policëve; për t’i bërtitur sloganin “Majtf” Presidentit Hosni Mubarak?

Prova më e mirë që diçka po ndodh vjen nga vetë autokratët. Mubarak, i ndodhur nën presion nga elita politike egjiptiane, braktisi të shtunën planin e tij për të zgjatur mandatin në detyrë përmes një referendumi në fund të këtij viti. Në vend të kësaj, ai shpalli se Kushtetuta do të ndryshohet për të lejuar zgjedhje me disa kandidatë për president. Sfidanti i tij më i besueshëm liberal, Aiman Nour, mbetet në burg, ndërkohë që reforma e Mubarakut mund të rezultojë thjesht një hile. Por përpjekja e autokratit për të shtypur lëvizjen opozitare, që Nouri ndihmoi të krijohet, i është kthyer kundër, duke e detyruar atë të improvizojë.

Presidenti sirian, Bashar Asad, duket edhe më i dëshpëruar. Javën e kaluar, regjimi i tij bëri të ditur se do të riorganizojë trupat në Liban, në përpjekje për të shmangur trysninë në rritje nga Këshilli i Sigurimit dhe opozita libaneze. Asad, ashtu si Mubarak, shpresoi se eliminimi i kundërshtarit të tij liberal, ish-kryeministër libanez, Rafik Haridi, do të ndalte lëvizjen për çlirim. Në vend të kësaj, ai ka shkaktuar një prej demonstrimeve më të mëdha të “fuqisë së popullit” në historinë moderne të Lindjes së Mesme. Një lëvizje që detyroi qeverinë të japë dorëheqje dhe vazhdon protestat për largimin e trupave siriane.

Këta janë autokratë, regjimet e të cilëve kanë mbetur të pandryshuar dhe të pasfiduar prej vitesh. Nuk ka patur aspak tronditje politike në Damask që nga vitet 1960 apo në Kajro që nga 1950. Tani, pak javë pas zgjedhjeve në Irak, Mubarak dhe Asad ndodhen të mëdyshur mes akteve të represionit që do të shkaktonin reagime të fuqishme ndërkombëtare dhe premtimeve të mëdha për reforma – që edhe këty mund të kenë efekt të kundërt, nëse rezultojnë boshe. Ndoshta mund të mbijetojnë; por është e qartë që autokratët arabë nuk e konsiderojnë imagjinare ëndrrën e Bushit për dominotë demokratike.

Kryengritja libaneze ishte dhe është shumë më e avancuar se ajo egjiptiane. Por Mubarak ka ndërmarrë veprimet më të fuqishëm, pjesërisht se ai ka po aq shumë edhe sa Asadi për t’iu trembur intifadës në Bejrut. Një tërheqje e detyruar nga Libani mund të shkaktojë rënien e dinastisë Asad në Damask. Si do që të jetë, në mungesë të pranisë së forcës siriane, zgjedhjet parlamentare të majit në Liban mund të jenë të tretat votime demokratike në botën arabe për këtë vit. Kjo do ta bënte të pamundur politikisht për Mubarakun që të vijonte sundimin e tij përmes mënyrave jodemokratike.

Lajmërimi dramatik i Mubarakut të shtunën ishte një përpjekje për të parandaluar këtë problem. Por lëvizja “Mjaft” në Egjipt – që kërkon zgjedhje të lira presidenciale përmes demonstratave të paprecedenta dhe në rritje – nuk do të ishte e kënaqur nëse reforma e propozuar nuk do të lejonte kandidatët si Nour të sfidonin Mubarakun, dhe në një fushë loje të barabartë, që do të bëhej e tillë vetëm po të hiqeshin ligjet dhe kufizimet për median. Për momentin, Nour është ende në qeli; deri kur të lirohet, lëshimet që Mubarak i ka bërë demokracisë nuk kanë besueshmëri.

Praktikisht, askush në Uashington nuk priste një rrjedhë të tillë të ngjarjeve pas zgjedhjeve në Irak. Jo shumë besojnë edhe sot që ado do të sjellin demokraci në Egjipt, Liban apo Siri në një kohë të afërt. Por është një fakt historik që kolapsi i një rendi të kalbur politik ndodh me shpejtësi, dhe i kap në befasi pjesën më të madhe të ekspertëve.

Në fillim të vitit 1989, vërejta se si një grup analistësh gjermanoperëndimorë kundërshtonin fuqishëm idenë që trazirat e nisura pa u vënë re në Evropën Lindore do të sillnin rënien e Murit të Berlinit. Askush nuk e mendonte që kjo të ishte e mundur; një pjesë e mirë qeshnin kur ua bëja këtë pyetje. Nëse transformimi në Lindjen e Mesme nis të marrë vrull, ai ndoshta do të jetë më i rrëmujshëm dhe rezultatet më të paqarta, sesa ato në revolucionet evropiane. Gjithashtu, nuk do të jetë tërësisht një krijesë e Bushit: shkëndijën e zjarrit e kanë dhënë autokracitë e korruptuara dhe stanjative të Lindjes së Mesme, prej vitesh. Gjithsesi, më pak se dy vite pas rrëzimit të Sadamit, e vërteta është që arabët po marshojnë për liri dhe bërtasin me sllogane kundër tiranëve në rrugët e Beirutit – dhe regjime që zgjasin prej dekadash kanë nisur të lëkunden. Ata që pretendonin se ndërhyrja amerikane nuk do të prodhonte kësi ngjarjesh, kanë arsye të rimendohen.

Liban

Opozita: Vazhdojmë protestat

Udhëheqësit e opozitës në Liban, demonstratat e të cilëve në rrugë rezultuan me dorëheqjen e qeverisë, kanë bërë thirrje që protestat të vazhdojnë. Ata thonë se duan tërheqjen e rreth shtatëmbëdhjetëmijë trupave siriane nga vendi, pas një pranie më se tridhjetëvjeçare.

Dorëheqja e kabinetit erdhi dy javë pas vrasjes së ish-kryeministrit libanez, Rafik Hariri, në një shpërthim masiv të një autobombe, zhvillim ky që shkaktoi një krizë politike anëkënd vendit. Lajmin e ka dhënë Kryeministri Karami në parlamentin e mbledhur për të diskutuar mocionin e mosbesimit të paraqitur nga opozita. Lajmi është pritur me ovacione nga opozita në sallë dhe nga manifestuesit e mbledhur në afërsi të Sheshit të Martirëve prej 24 orësh. Megjithëse ishin ndaluar demonstratat, rreth 50 mijë vetë u mblodhën në qendrën e Bejrutit për të protestuar kundër pranisë së trupave siriane në këtë vend.

Shtetet e Bashkuara thanë se dorëheqja e qeverisë ishte rast për popullin libanez që të ketë një administratë që vërtet përfaqësonte diversitetin e vendit. Në reagimin e parë, Siria tha se kjo ishte çështje e brendshme e Libanit.

Një prej figurave kryesore të opozitës, Valid Xhumblat, tha se gjërat po ndyshonin: "Mendoj se kohët kanë ndryshuar, mendoj se do të jetë shumë e udhës që udhëheqësia siriane të vendosë ngadalë, por sigurtë e me nder, dhe ne do t'u ndihmojmë, që të largohen nga Libani, dhe në të njëjtën kohë të vendosim marrëdhënie fqinjësore të bazuara në besim", thotë zoti Xhumblat. Qeveria e zotit Karami do të vazhdojë detyrën si kujdestare, derisa Presidenti Emil Lahud të përfundojë konsultimet për një administratë të re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›