Kapet shqiptari shpërndarës droge në Breshia
10/04/2005 Një tjetër shqiptar është arrestuar në Breshia të Italisë për mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Agjentët e policisë së skuadrës "Volante", kanë vënë në pranga dje pasdite, Ilir Celmetën, 42-vjeçarin nga Durrësi, pasi gjatë kontrollit të banesës së tij janë sekuestruar 500 gr heroinë dhe 120 gr kokainë. Arrestimi i Ilir Celmetës, 42 vjeç, me leje qëndrimi të rregullt në Itali, ka qenë rezultat i një hetimi, i cili kishte nisur nga informacione paraprake të disa të dyshuarve. Në momentin kur agjentët e policisë kishin hyrë në banesën e durrsakut, ky i fundit kishte tentuar të mbulonte me revistë një pjatë mbi tavolinë, ku ndodhej një sasi droge për përdorim vetjak. Pranë pjatës, policia ka gjetur dhe një kartë telefonike e skaduar, e cila do të përdorej për të thithur drogën. Më pas kontrolli i policisë ka vazhduar në dhomën e gjumit, ku në dollapin e rrobave janë gjetur dy qese plasmasi me drogë. Njëra qese mbante gjysmë kilogram heroinë dhe ishte mbështjellur me letër ngjitëse, ndërsa në qesen e dytë ndodheshin 120 gr kokainë. Në shtëpinë e Ilir Celmetës janë gjetur dhe 200 euro, për të cilat policia dyshon se janë të ardhura nga shpërndarja e drogës. 42-vjeçari nga Durrësi duhet t'i përgjigjet akuzës për mbajtje dhe shpërndarje të lëndës narkotike, ndërkohë që po hetohet se mos ka lidhje me një organizatë kriminale, që merret me trafikun e drogës.