Gjobat e makinave, vonesat e Postës penalizojnë për së dyti shoferët
Shumë shoferë të automjeteve në Tiranë javët e fundit janë përballur me ndalime dhe ndëshkime të Policisë Rrugore për shkak të gjobave të papaguara. Por në një pjesë të madhe të rasteve shkak nuk kanë qenë shoferët, por Posta Shqiptare. Kjo e fundit duket se paratë që arkëton nga shërbime të ndryshme pagesash ndër të cilat edhe gjobat e shoferëve që paguhen në sportelet e saj, i përdor fillimisht për shpenzimet e veta (institucionit) dhe për pas bën arkëtimet në llogari të institucioneve të tjera me të cilat ka marrëveshje. Por një vonesë e tillë në arkëtimet e parave dhe në kalimin e të dhënave sidomos për gjobat e shoferëve, përkthehet në kamatëvonesa për shoferët dhe në ndalime pa shkak prej Policisë Rrugore. Të pyetur nga gazeta “Albania” punonjës të sporteleve të Postës Shqiptare, fajësojnë për neglizhencën shoferët duke thënë se, ata nuk marrin kuponin e pagesës ose mandat-pagesën nga posta për t’ia treguar atë policisë në rast ndalimi. Por nga ana tjetër shoferët ankohen se gjobat nuk janë derdhur në Polici prej më shumë se 8 muajsh, dhe se kjo gjë nuk ka lidhje fare me neglizhencën e tyre, por me moslikujdimin e parave nga ana e Postës Shqiptare.
Problemi
Përdorimi që Posta Shqiptare u bën parave që arkëtohen në sportelet e saj nga faturat e ndryshme të qytetarëve si ato të energjisë, telefonisë fikse, asaj mobile si dhe gjobave të shoferëve, si dhe moslikujdimi i tyre në kohën e duhur ngarkon me pasoja qytetarët. Shumë institucione si KESH-i ose Albtelekomi janë ankuar edhe më parë për këto vonesa, por tani duket se radha i ka ardhur edhe Policisë Rrugore, e cila si rrugë më të shkurtër ka gjetur penalizmin për herë të dytë të drejtuesve të mjeteve në kryeqytet. Këta të fundit pasi rezultojnë me gjoba të papaguara në regjistrin elektronik të Policisë Rrugore, ndalohen prej inspektorëve të saj dhe u merren (sekuestrohen) dokumentet e makinës si patenta dhe Leja e Qarkullimit deri në pagesën e gjobave. Por edhe pse shoferët pretendojnë se i kanë paguar gjobat në sportelet e Postës, përsëri kjo gjë nuk figuron në kompiuterat e Policisë. Kjo ka bërë që shumë shoferëve gjobat të cilat nuk rezultojnë të paguara tu kalojnë edhe me kamatë. Por nga ana tjetër në Postën Shqiptare asnjë nuk mban përgjegjësi për këtë.
Gjobat
Janë me qindra automjetet që ditët e fundit janë bërë pre e ndalimeve dhe e bllokimeve nga ana e Policisë Rrugore. Shkak janë gjobat e papaguara të shoferëve, ose më mirë vonesat në likuidim dhe në raportim që atyre u ka bërë Posta Shqiptare. Këtë e tregojnë dhe radhët e gjata të drejtuesve të automjeteve në sportelet e Policisë Rrugore në zonën e Kinostudios në Tiranë, por dhe pranë sporteleve të Postës ku kërkojnë verifikimin e gjobave të paguara më parë. Në të dyja këto sportele janë qindra shoferë që presin në radhë për të marrë vërtetime me qëllim që të ballafaqojnë palët vetëm për shkak të vonesave nga ana e Postës. Por nga ana tjetër shoferët thonë se nuk mund të mbajnë me muaj të tërë mandat-pagesat e gjobave që atyre ua jep Posta Shqiptare, pasi ata mendojnë se ato hidhen në kohë në rrjetin elektronik të Policisë Rrugore.
27 Tetor 2009