Ballsh, punëtorët e ARMO-s futen me forcë në uzinë
Punëtorët e uzinës se përpunimit të naftës në Ballsh, nuk kanë pranuar vendimin e mbylljes së uzinës. Ata kanë thyer derën e saj dhe janë futur forcërisht brenda në ambientet e saj, duke theksuar se çështja e mungesës së dokumentacionit është një problem mes shtetit dhe privatit. Punëtorët kanë kërcënuar se mbyllja e uzinës do të shkaktojë rreziqe dhe probleme për ta. “Të hapet uzina, duam të punojmë”- janë shprehur punëtorët ndërkohë që nuk kanë nguruar të thyejnë derën e uzinës duke u futur forcërisht brenda saj. Punonjësit e naftës në Ballsh kanë nisur protestat kundër vendimit të Policisë Tatimore për bllokimin e punës në pikat e kompanisë “ARMO”. Sipas punonjësve, “vendimi është i padrejtë ndërkohë që nënvizojnë faktin se më këtë veprim shteti po le pa punë mijëra qytetarë”. Me urdhër të lëshuar nga drejtoria e VIP-ve në Tiranë dhe zbatuar nga drejtoria rajonale e Tatim Taksave në Fier që prej mbrëmjes së të shtunës është ndalur prodhimi i naftës në rafineritë e Fierit, Ballshit dhe puna ne pontilin e Vlorës. Arsyeja e dhënë është mosplotësimi i dokumentacioneve tatimore. Drejtuesit e ARMO-s kanë reaguar ashpër ndaj vendimit dhe kanë theksuar se nuk u është bërë asnjë paralajmërim për vendimin. Ata janë shprehur se do ta ndjekin çështjen me rrugë gjyqësore. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka shpjeguar zyrtarisht, pse u bë bllokimi i depove të nënprodukteve të naftës të kompanisë “ARMO”, duke theksuar se është një vendim ligjor.
Blokohet tregu i cigareve, grosistët në pritje të akcizës së re
Tregu i cigareve në Tiranë ka mbetur pezull këto ditë ku grosistët ngurrojnë të shesin te tregtarët me pakicë në pritje të hyrjes në fuqi të akcizave të reja. "Nuk më shesin në sasi prej disa stekash njëherësh, për shkak se këto janë ditët e fundit me çmimet e vjetra", thotë një tregtar. Ligji për akcizat u miratua në Parlament këtë muaj dhe pritet të hyjë në fuqi pas pak ditësh. Për cigaret u përcaktua rritja e akcizës me 10 lekë për paketë duke shkuar nga 40 në 50 lekë. Për pasojë, çmimet e cigareve në treg pritet të rriten në 12-15 lekë. Ndërkohë, doganat raportojnë dyndje të fuqishme në importimin e cigareve gjatë dy muajve të fundit, për shkak se grosistët po përpiqen të importojnë sa më shumë të jetë e mundur para hyrjes në fuqi të akcizave të reja. Kështu, në qershor, kur qeveria miratoi projektligjin, u importuan 432 tonë cigare, ose 50 për qind më shumë se një muaj i zakonshëm, ndërkohë që në gusht, importet kërcyen në 600 tonë. Cigaret janë malli i tretë më i rëndësishëm për sa i përket të ardhurave doganore pas karburanteve dhe automjeteve. Vitin e kaluar, taksat mbi këtë produkt i sollën administratës doganore 3.9 miliardë lekë të ardhura ndërsa në periudhën janar-gusht të këtij viti, të ardhurat qenë 2.7 miliardë lekë.
Korrupsioni, Tatimet nisin fushatën për denoncime nga publiku
“Kush përfshihet në korrupsionin tatimor ose evazionin fiskal dëmton shërbimin që ti meriton. Denonco evazionin dhe korrupsionin tatimor”,- nën këtë slogan, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve filloi javën e kaluar një fushatë mediatike njëmujore në të gjithë vendin për të inkurajuar qytetarët shqiptarë të përdorin linjën falas: 0800 14 14. Sponsorizuar nga Programi Prag i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë II, fushata do të përmirësojë mënyrën sesi DPT-ja identifikon dhe heton rastet e evazionit fiskal dhe korrupsionit në tatime. Mesazhi i përgjithshëm i fushatës është se përmbushja e detyrimeve tatimore është një detyrë qytetare që ndikon në integritetin e të gjithë sistemit.
Evazioni fiskal dhe korrupsioni në tatime nga disa tatimpagues dhe disa zyrtarë tatimorë minojnë pritshmërinë legjitime të të gjithë tatimpaguesve për trajtim të drejtë dhe të barabartë. DPT-ja kërkon të hedhë dritë mbi këto shkelje dhe t’i luftojë ato duke punuar për qytetarët dhe në bashkëpunim me ta. “Qëllimi ynë kryesor është të ndërtojmë një sistem tatimor të bazuar në përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimore, që krijon besimin e publikut në objektivitetin, kompetencat dhe integritetin e administratës tatimore”- tha kreu i DPT-së, Artur Papajani. Çdo denoncim në linjën falas në DPT-së merret ndërmjet një sistemi automatik. Denoncimet përcillen për ndjekje te Njësia e Hetimit të Brendshëm për çështje korrupsioni, ose të Drejtoria e Hetimit Penal për ato të evazionit fiskal.
27 Tetor 2009