E Diel, 1 Nëntor 2026

Adriatik Llalla, kryetari i ri i ILDKP-së me pëlqimin e opozitës

Kuvendi miratoi dje me konsensus kreun e ri të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Ai do të jetë Adriatik Llalla, i cili mori 91 vota pro, vetëm 14 kundër dhe 2 abstenime. Llalla do të zëvendësojë Fatmira Laskajn, e cila ka 5 vjet që drejton këtë institucion dhe përfundoi mandatin më 10 korrik 2008. Adriatik Llalla ka shërbyer si prokuror në rrethet Lushnjë, Kavajë, Fier dhe Tiranë, ndërsa në periudhën 2006-2008 ka qenë kryetar i Këshillit të Prokurorisë. Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar. Një prej të përzgjedhurve të Presidentit Topi për postin e drejtuesit të institucionit që heton e kontrollon pasurinë e gjyqtarëve, Bashkim Dedja, nuk u votua nga deputetët. Pas votimit të Adriatik Llallës, i cili mori më tepër se ç’duhen vota për të qenë kreu i ILDKP-së, Kuvendi nuk e hodhi në votë kandidaturën e Dedes. Duket se ka pasur një marrëveshje të heshtur mes dy krahëve të politikës për këtë emër, marrëveshje që Kryeministri Sali Berisha e bëri publike disa ditë më parë kur tha se do i lihet opozitës që të vendosë për një nga emrat, duke e cilësuar këtë institucion të rëndësishëm edhe për opozitën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›