E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Presim zgjedhje të lira në 2009-ën

Ambasadori i Komisionit evropian në Tiranë, Helmut Lohan, në një intervistë dhënë mediave vizive, u shpreh se BE-ja pret që zgjedhjet e vitit 2009 të jenë të lira dhe të ndershme. Ai iu referua progres-raportit që pritet të publikohet në 9 nëntor të këtij viti, që sipas Lohanit, ka disa faktorë që duhen pasur parasysh. “Së pari, është përgatitja e rregullt e zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Zgjedhjet janë një element bazë për një demokraci funksionale. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë zgjedhje që konsiderohen në përputhje me standardet evropiane, të lira dhe të ndershme, dhe kjo është kryesorja. Është e nevojshme të përforcohet pavarësia e gjykatësve, por edhe e prokurorëve në Shqipëri”, - tha Lohan. Ambasadori i KE-së në Tiranë shtoi më tej se një çështje e rëndësishme është edhe përfarimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. “Legjislacioni duhet të përgatitet imtësisht, të trajtohet gjerësisht dhe të debatohet në mënyrë transparente. Pasi është miratuar legjislacioni, duhet të zbatohet në mënyrë të plotë që të ketë efekt në jetën e përditshme. Jam i sigurt që të gjithë mund të gjejmë shembuj në fushën e punësimit, të shëndetit dhe sigurisë në punë, ku legjislacioni aty ekziston, por që nuk zbatohet”, - shtoi Lohan, i cili vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme mes BE-së dhe Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›