Kuvendi rrëzon dy dekrete të Topit
Kuvendi ka rrëzuar të besuarit e Presidentit Bamir Topi për anëtarë të Autoritetit të Konkurrencës. Gjatë seancës së djeshme, deputetët votuan me votim të fshehtë elektronik Adriatik Llallën në krye të ILDKP-së, por një gjë e tillë nuk u bë me dy dekretet e tjera për anëtarë në Autoritetin e Konkurrencës. Asnjë nga dy kandidaturat e dekretuara nga Presidenti i vendit nuk mori shumicën e nevojshme prej 50 plus 1 për qind të votave të pranishme në sallën e Kuvendit. Megjithëse ishte e papritur, votimi i mazhorancës kundër emrave të Topit, ndryshe nga ç’ndodhi në rastin e Gjykatës së Lartë, kreu i shtetit has përsëri votën kundër të partisë së tij. Kandidatura e parë, ajo e Engjëll Shkrelit arriti të marrë pro 52 vota, 43 kundër dhe 15 abstenime, ndërsa kandidatura tjetër, ajo e Burhan Malevit mori vetëm 39 vota pro, 57 vota kundër dhe 12 abstenime. Duke ndjekur këtë rezultat, kryetarja e Kuvendit nuk u nxitua të shpallë fitues, por kërkoi menjëherë mendimin e sekretarit për procedurat dhe votimet, që funksionon pranë Byrosë së Kuvendit, i cili do të përcaktojë edhe në rast se ka pasur ndonjë fitues apo jo. Besnik Dervishi, një nga anëtarët e Komisionit për Votimin në Kuvend, u shpreh për gazetën se asnjë nga figurat nuk fitoi. “Besoj se ju kujtohet rasti Zamir Poda. Ai mori 50 për qind pro të votave të pranishmëve, dhe nuk arriti të fitojë për shkak sepse nuk kaloi 50 plus 1 për qind. E njëjta situatë është edhe këtu. Asnjë dekret nuk mori më shumë se 50 plus 1 të votave të pranishmëve”, - tha Dervishi. Me rrëzimin e këtyre dekreteve, Presidenti Topi do të duhet të dërgojë dy kandidatura të tjera të cilat do të kalojnë nën “filtrin” e Kuvendit, që përcaktohet në rregulloren e re. Tashmë me paraqitjen e kandidaturave, kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës i shqyrton ato dhe harton raportin përkatës. Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Në rast se komisioni përkatës vëren se ndonjëra nga kandidaturat ka probleme me kriteret ligjore, atëherë kryetarja e Kuvendit ka të drejtën që në emër të Kuvendit të bisedojë me kreun e institucionit propozues, para se të kalojë në seancë plenare. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga ky proces shqyrtimi i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar.