MJAFT: Deputetë të opozitës nuk firmosën për shkarkimin e Bashës
Lëvizja MJAFT bëri të ditur dje se deputetë të opozitës nuk firmosën peticionin e ideuar prej saj për shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, edhe pse kjo nismë e tyre përgjithësisht u mbështet nga opozita. “Aktivistët e lëvizjes MJAFT ngritën një stendë në hyrje të Kuvendit gjatë kohës kur brenda po zhvillohej seanca plenare. Pati gjithashtu deputetë të ndryshëm të cilët ndonëse janë deputetë të opozitës ngurruan ta firmosin peticionin pasi, siç u shprehen vetë, kanë ende shpresa te forca e kartonit”, - thuhet në një njoftim për shtyp të kësaj lëvizjeje. Sipas fotografive që ka nisur MJAFT për mediat, deputetë të tjerë opozitarë, si deputetë të LSI-së, Ilir Meta, Spartak Braho, Dritan Prifti dhe deputetë të PS-së, Bashkim Fino, Erion Braçe etj. kanë hedhur firmën. Por megjithëtë të rinjtë e MJAFT-it kanë ndaluar edhe të tjerë deputetë të opozitës të cilët kanë nguruar për të firmosur këtë nismë. Pavarësisht argumentit të tyre, duket e pabesueshme ky qëndrim, pasi gjatë tre viteve PS-ja e ka sulmuar ashpër ministrin Basha. Në këtë rast peticioni i MJAFT-it po bëhet duke akuzuar ministrin e Jashtëm për njohjen e tij me biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç.