Reflekton PD-ja, Ruçi dhe Ginushi, pjesë e ligjit të dosjeve
Pavarësisht nëse në draftin e deputetit Bumçi për ligjin e “dosjeve” anashkalohej figura e Gramoz Ruçit dhe Skënder Gjinushit, vetë Aldo Bumçi tha dje në Kuvend se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Bumçi, me një ton të fortë, tha se Partia Socialiste nuk po jep konsensusin për miratimin e këtij ligji. Ai tha më tej se pas vitit 1997, ligji i vitit 1995 u amendua duke përjashtuar deputetët dhe një sërë zyrtarësh të lartë të kohës nga verifikimi. Bumçi tha më tej se ish-sekretarë të parë të rretheve, si dhe anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës nuk u cilësuan si të papajtueshëm me ligjin e dosjeve. Pavarësisht se në draftin paraprak të hartuar nga vetë Bumçi nuk janë përfshirë ish-sekretarët e parë të rretheve, ku një ndër ta është edhe Gramoz Ruçi, deputeti i PD-së e cilësoi si të papranueshëm përjashtimin nga ligji të këtyre kategorive. Në këtë mënyrë duket se PD-ja ka bërë kthesë dhe ka përfshirë në listën e ligjit edhe këto kategori. “Ligji për dosjet duhet të ishte votuar sot në Parlamentin shqiptar, por Partia Socialiste nuk ka vullnet të japë konsensusin”, - tha Bumçi. Ndërkohë, dje ishte afati i fundit për miratimin e ligjit të “dosjeve” në Kuvend, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi PS-ja ka vënë kushte të reja si ngritjen e një grupi kuvendor “ad hoc” i cili të punojë për hartimin e të ashtuquajturit ligji i dosjeve.