Prefekti i Gjirokastrës thotë se po ushtrohet terror psikologjik në përvjetorin e Enverit

Sakaq, gjatë ditëve të fundit, në prag të 100 vjetorit të lindjes së ish udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, persona anonimë kanë vizatuar në fasadat e ndërtesave të ndryshme në qytetin e Gjirokastrës me bojë të kuqe parulla dhe yje me pesë cepa, simbol i mirëfilltë komunist. Ato ishin shkruar me bojë të kuqe në muret e zonës muzeale të qytetit.
Lidhur me këtë dukuri, Prefektura ka kërkuar distancimin nga parullat që vijnë pak ditë para përkujtimit të 100-vjetorit të ditëlindjes së ish-diktatorit komunist, ditë në të cilën janë parashikuar disa aktivitete nga mbështetës dhe familjarë.
“Segmente të interesuara u rikthehen metodave të terrorizmit psikologjik duke e mbushur qytetin me parulla që evokojnë figurën e diktatorit që si askush tjetër në histori zhyti vendin në persekutim që njihet botërisht”, tha sot në deklaratën për media, prefekti Spiro Ksera.
“Duke marrë në konsideratë ankimet e një numri qytetarësh, - vijon deklarata, - që shprehin indinjatë për këtë dhunë psikologjike dhe duke dashur të mbrojmë nxënësit dhe gjithë rininë nga kjo dhunë, u bëjmë thirrje autoriteteve vendore për të përdorur të gjitha mundësitë ligjore për zhdukjen e parullave”.
Ksera kërkoi që parullat të largohen sidomos nga institucionet fetare, shtetërore dhe qendrat kulturore, duke theksuar që “të bëhet pastrimi i tyre brenda një afati sa më të shkurtër”.
a.l/NOA