Adriatiku e Joni, gati për të pritur turistët nënujorë
DURRES/ OERD ULQINI
Shqipëria po zbulon horizonte të panjohura turizmi, të cilat bota e qytetëruar i ka njohur me kohë. Veç turizmit të aventurës, të mbijetesës, atij alpin etj, të cilat kanë filluar të lëvrohen nga të huajt, nën ujërat e Durrësit nuk është zhytur deri më tani asnjë turist.
Fenomeni i mosshfrytëzimit të këtij lloj turizmi shtrihet për fat të keq përgjatë 400 km vijë bregdetare të vendit tonë. Në Adriatikun dhe Jonin shqiptar ende nuk ka filluar të lulëzojë kjo industri turistike, mjaft e përhapur në krejt Mesdheun. I këtij mendimi është arkeologu i njohur i detit, Adrian Anastasi. Sipas tij ka ardhur koha që shumë zona të bregdetit shqiptar, të shpallen të mbrojtura dhe pas inventarizimit, të shoqërohen (nga personeli shqiptar) drejt fundit të detit turistët e apasionuar pas zhytjeve shkencore. Kjo gjë do të shtonte valutën e sjellë në Shqipëri, si dhe do të zgjeronte gamën e industrisë sonë turistike. Sigurisht në këtë rast bëhet fjalë për një turizëm tejet elitar, ku i interesuari veç mirëqenies, të ketë edhe dëshirën për t’u njohur me misteret e fundit të detit. “Në mënyrë që të ruhen këto pasuri nga vjedhjet, grupet e huaj të zhytësve duhet të shoqërohen edhe nga specialistët vendas. Një sipërmarrje e tillë do të hapte horizonte të reja për turizmin shqiptar”, tha Anastasi.
Ai së bashku me një grup studiuesish të tjerë shqiptarë është në bordin e “Herkules”, anije e cila është në vitin e tretë të ekspeditës arkeologjike nënujore. “Herkules” është një ndër anijet më moderne të botës për kryerjen e ekspeditave arkeologjike nënujore. Pak vetë e dinë se ish-korveta e marinës luftarake izrealite është përshtatur jashtëzakonisht mirë edhe si një anije shkencore. Tashmë “Herkules” mban flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi i përket një fondacioni të rëndësishëm amerikan “R.P.M”-Nautical Foundation. Është e aftë të studiojë të gjitha anomalitë e fundit të detit, deri në thellësinë 850 metra. Ajo ka kryer vetëm një pjesë të vogël të misionit nga Kepi i Stillos e deri në Kakome, duke mbledhur në total 2800 objekte, një përqindje e vogël e të cilave është padyshim pjesë e anijeve të mbytura. Projekti amerikan ka të bëjë me ndërtimin e hartave 3-dimensionale dixhitale për arkeologjinë e nënujit. Ekuipazhi i saj prej tetë vetash, së bashku me personelin vendas është duke ndërmarrë një studim të detajuar të ujërave shqiptare nga Kepi i Stillos në jug e deri në grykëderdhjen e lumit Buna në veri. Frytet e punës janë mbresëlënëse. “Janë gjetur 27 anije të mbytura në epokën moderne dhe dy anije të mbytura në shekujt 6 dhe 4 P.e.s. Ndër të tjera ekspedita ka zbuluar edhe një relikt të mbytur në Sarandë që daton shekullin e 3 p.e.s.”, shprehet Adrian Anastasi.
Pirateria nënujore
Pirateria me objektet e arkeologjisë nëndetare është një gjë për fat të keq e zakonshme. Çdokush që zotëron teknikën e apneas, i pajisur me një maskë dhe tub të thjeshtë mund të bëhet dëshmitar i zbulimeve të rralla, të cilat thuajse asnjëherë nuk dorëzohen në muze, por trafikohen brenda dhe jashtë vendit. Në batllat e Currilave janë zbuluar objekte të periudhave të ndryshme me shumë vlera edhe në thellësi 2-3 metra. “Roja bregdetare e Shqipërisë duhet të bëhet barrierë për këtë lloj të re vjedhjeje që i bëhet pasurisë kombëtare”, bën apel Anastasi.