E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta kundër Karamanlis, 10 mijë vetë ndezin Selanikun

 

Greqia nuk po gjen paqe edhe pas vendimit të kryeministrit Kostas Karamanlis për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme më 4 tetor. Më shumë se 10,000 njerëz kanë protestuar në Selanik kundër Qeverisë së tij konservatore, ndërsa një grup të rinjsh janë përleshur me policinë pasi kanë hedhur molotov drejt forcave të sigurisë dhe dy bankave në Selanik. Protestuesit kanë zgjedhur Selanikun për të protestuar dy ditë pasi Karamanlis vendosi se në vendin e tij do të kishte zgjedhje të parakohshme, për shkak të ‘vështirësive” ekonomike në këtë kohë krize. Për të qetësuar turmën e revoltuar gjatë ditës së djeshme në Selanik, qyteti i dytë për nga madhësia në Greqi, u grumbulluan rreth 2,500 forca të policisë. Njerëzit janë grumbulluar në tre protesta të ndryshme të organizuara nga unionet dhe grupet majtiste. Protestuesit zgjodhën pikërisht Selanikun pasi në këtë qytet, mbrëmjen e së shtunës, kryeministri Karamanlis përuroi një panair ndërkombëtar tregtar dhe mbajti një fjalim mbi programin e tij qeveritar pak para zgjedhjeve të reja, ndërsa kërkonte rikandidimin. Programi i tij ishte me masa shumë të ashpra kursimi që nuk janë vlerësuar aspak nga shtresat e punëtorëve. Policisë greke i është dashur të përdorë gaz lotsjellës kundër një grupi prej 20 të rinjsh në një protestë të nisur me pak e të përfunduar me 1500 vetë. Dy banka u dëmtuan me goditje molotovi dhe tre bankomate u shkatërruan. GSEE, Unioni më i madh i punës në Greqi, me 600,000 anëtarë, ka lëshuar një deklaratë ku argumentonte protestat për shkak të programit politik, ekonomik e social të konservatorëve, duke i quajtur “rritës të papunësisë, rritës të taksave... privatizimeve, sulmues të së mirave sociale dhe shkatërrues të ambientit”. Protestuesit mbanin parulla që shkruanin “Qeveria dhe bankat po shesin vendin”, dhe i paraqisnin ato para panairit ndërkombëtar në Selanik, i cili do të zgjasë të gjithë shtatorin, pas hapjes nga kryeministri Karamanlis të shtunën në mëngjes. Kryeministri tha se planifikonte të kontrollonte shpenzimet publike dhe të kryente një betejë të ashpër kundër mashtrimeve fiskale për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›