E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Maqedoni, anija u fundos nga defekti teknik

 

Maqedonia dhe Bullgaria kaluan dje një ditë zie kombëtare, për shkak të viktimave që humbën jetën në mbytjen e anijes së turistëve në liqenin e Ohrit. Ndërsa një ditë më parë u tha se shkak i aksidentit mund të ketë qenë mbingarkesa e njerëzve në bord, dje Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se mbytjen e anijes e ka shkaktuar një defekt teknik. “Defekti teknik ka shkaktuar daljen e anijes nga kontrolli dhe animin e saj në të djathtë, që ka rezultuar me fundosjen e saj”, thuhet në njoftimin zyrtar nga ministria maqedonase. Kapiteni i anijes është prangosur dhe po qëndron në një paraburgim me 30 ditë ndërkohë që kryhen hetimet të mëtejshme. Kapiteni 23 vjeçar, Sotir Filevski, mbrëmjen e së shtunës doli para gjykatës, ndërsa ndihmësi i tij është lënë i lirë. 15 qytetarët bullgarë që u mbytën në tragjedi janë varrosur të dielën në Bullgari. Në total në anijen “Ilinden” ndodheshin 55 turistë bullgarë, kur ajo u mbyt. Sofja anuloi një festë zyrtare të ushtrisë “Ditën e unifikimit”, pasi Presidenti Georgy Parvanov ishte në homazhet e viktimave në katedralen e kryeqytetit. Në të gjithë vendin janë mbajtur mesha për ta. Thyerja e një cope metali në anije dhe mbingarkesa (10 persona më shumë) ishin shkaqet mbytjes së saj. mediat në Bullgari, duke përmendur 15 viktimat përfshirë edhe një fëmijë, e kanë quajtur “varka arkivol”. Tridhjetetetë nga 40 të mbijetuarit bullgarë u kthyen në Bullgari me një avion qeveritar dhe tetë prej tyre u shtruan në spital. Trupat e viktimave u kthyen me një avion ushtarak të ofruar nga autoritetet maqedonase. Të gjithë të mbyturit ishin nga lindja e Sofjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›