E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet anija në Filipine, 9 të vdekur, 926 të shpëtuar

 

Një anije pasagjerësh me rreth 1000 persona në bord, është mbytur në pjesën jugore të Filipineve duke lënë 9 të vdekur dhe mbi 30 të zhdukur. Anija “Superferry 9” nisi të mbytej para agimit të djeshëm, 15 kilometra nga bregu i Zamboanga del Norte, Filipine, duke tmerruar pasagjerët që po flinin, shumë prej të cilëve janë hedhur në ujë. Skuadrat e shpëtimit kanë transferuar 900 nga 968 pasagjerët dhe ekuipazhi në anijet e afërta tregtare, një anije ushtarake dhe një varkë peshkimi. Më shumë se 33 njerëz rezultojnë të humbur. Sekretari i Mbrojtjes në Filipine, Gilbert Teodoro tha se dy burra dhe një fëmijë u mbytën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga anija. Më pas nga deti u nxorën trupat e dy pasagjerëve të tjerë të gjetura nga një peshkatar. Shkaku i mbytjes së anijes nuk është shumë i qartë. Ka pasur raportime se anija 7268 tonëshe ka anuar në të djathtë për shkak të një vrime në trupin e saj, thuhet nga Këshilli Kombëtar i Koordinimit të Fatkeqësive. Kapiteni i anijes ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të saj. Pamjet me satelit kanë treguar se pasagjerët përpi-qeshin që të mbaheshin pas gjithçkaje ndërsa anija mbytej. Të tjerë përpiqeshin të ngjiteshin sa më lart saj. Anija është nisur të shtunën nga porti “General Santos” dhe pritej të mbërrinte në qytetin Iloilo në qendër të Filipineve të dielën në mbrëmje, por ka hasur probleme në mes të rrugës. Autoritetet shprehen se nuk ka pasur shenja të ndonjë sulmi terrorist. Ideja për sulme terroriste u ngrit pasi në vitin 2004 militantët e Abu Sayyaf të lidhur me Al Kaedën bombarduan një anije tjetër “Superferry” në Manila, duke vrarë 116 njerëz. Nuk ka raportime se anija mund të jetë mbytur për shkak të motit të keq, pasi sipas meteorologëve koha ka qenë e kthjellët në përgjithësi në gadishullin Zamboanga.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›