Ish-trajnerët: Besojmë te Shqipëria e Kuzhesë
Duan një kombëtare që luan në sulm por që edhe di të mbrohet mirë. Në fund më i rëndësishëm është fakti se nga i pari deri tek më i fundit besojnë “verbërisht” se Shqipëria e Josip Kuzhesë mund t’i hapë punë Danimarkës së Morten Olsen të mërkurën në “Qemal Stafa”. Analiza vjen nga gjashtë ish-trajnerët e ekipit përfaqësues, ata që më mirë se cilido tjetër e njeh ambientin kuqezi. Duke filluar që nga Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Mehdin Zhega, Sulejman Demollari e deri tek ish-zëvendësi i Brigelit dhe Bariçit, Shpëtim Duro besojnë se ky ekip është i aftë të marrë një rezultat pozitiv ndaj danezëve kjo edhe falë mënyrës sesi po e drejton skuadrën kroati i shumë polemizuar në fillimet e tija si njëshi i pankinës shqiptare, Josip Kuzhe.
Që të gjithë janë të mendimit se nuk ka shumë rëndësi fakti nëse Kombëtarja jonë luan me një apo me dy sulmues. E rëndësishme sipas tyre është ideja që do t’u përcjellë Kuzhe lojtarëve që do të hedhë në fushë ndaj Danimarkës. Mbi të gjithë Shpëtim Duro beson shumë tek kapaciteti i Kuzhesë dhe shikon një Shqipëri krejt të rinovuar në aspektin lojë përkundrejt kombëtares së Ari Han. Ndërkaq Birçe dhe Duro i mëshojnë edhe faktit se Kuzhe ka në dispozicion një dyshe sulmuese Salihi-Bogdani në formë të shkëlqyer ndaj nuk i mbetet gjë tjetër që të marrë maksimumin nga këta të fundit. Demollari dhe Bajko flasin me skepticizëm për këtë repart dhe kërkojnë një përkujdesje më të madhe në repartin difensiv. Ndërkohë që thuajse të gjithë ish-trajnerët e Kombëtares i mëshojnë faktit se nuk do të kishte vlerë një fitore ndaj Danimarkës nëse më pas Shqipëria do të rikthehej në origjinë, tek humbjet e njëpasnjëshme. Nga të gjithë kërkohet vazhdimësi.