E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhje urgjente për shpërthimet, arrihet marrëveshje me Bankers

 

PATOS – Kryebashkiaku i Patosit, Bardh Meli dhe prefekti i Fierit, Rauf Troka organizuan mbrëmë një mbledhje urgjente me përfaqësues të kompanisë së naftës, “Bankers”. Për disa orë janë bërë të njohura ankesat e banorëve të zonës së Zharrëzës dhe Kuqarit, të cilët në korrik të këtij viti dhe javën që kaloi janë ngritur në protesta për shkak të tronditjeve që pësoi toka. Ata, edhe dje kanë akuzuar kompaninë e huaj se po kryen manovra të ndryshme te puset, me qëllim sigurimin e një sasi më të madhe të naftës. Kjo akuzë është kundërshtuar me forcë nga ana e “Bankersit”, e cila vazhdon të këmbëngulë se tronditjet kanë ardhur si pasojë e lëkundjeve sizmike. Në fund të mbledhjes, e shoqëruar me debate të forta është vendosur një marrëveshje me 4 pika, e cila u pranua nga palët. Në bazë të saj, për 1 muaj nuk do të punohet në puset të cilat provokuan tronditjet sipas banorëve. Gjithashtu, do të pritet fjala e specialistëve të Institutit Sizmiologjik për të përcaktuar nëse tronditjet ishin me bazë nga puna e puseve apo të lëkundjeve të tërmetit. Kompania “Bankers” është ngarkuar që të dëmshpërblejë banorët për shtëpitë e dëmtuara dhe marrjen e masave për strehimin në çadra të familjeve që kanë humbur banesat. Gjatë kësaj kohe, këto pika do të mbikëqyren nga prefektura e Fierit, deri në gjetjen zbatim të tyre. Sipas kryebashkiakut Meli, nëse faji del zyrtarisht i firmës private, atëherë do t’i drejtohen prokurorisë.
Të shtyrë nga banorët dhe protestat e tyre, të cilat sollën dhe bllokimin e punës së firmës në puset e naftës, pushtetarët vendorë kërkuan dje ballafaqim me kompaninë. Si prefekti Troka dhe kryebashkiaku Meli kërkuan që të jepet llogari për këtë punë të papërgjegjshme të deritanishme në një zonë të banuar. “Nuk mund të mbetet në heshtje për një periudhë kaq të gjatë kohe një problem i tillë, madhor për komunitetin tonë. Kërkojmë të na jepni shpjegim, jo vetëm për atë që ka ndodhur, por edhe për mënyrën se si i shfrytëzoni puset”. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, por mësohet se përfaqësuesit e kompanisë kanadeze të naftës, edhe dje kanë hedhur poshtë akuzat e bëra nga banorët. Megjithatë, deri në fjalën e specialistëve, puna për nxjerrjen e naftës do të jetë e bllokuar. Banorë të shumtë u mblodhën mbrëmë para bashkisë së Patosit, ku zhvillohej takimi, duke kërkuar nga shteti që të japë një zgjidhje përfundimtare të shqetësimit të tyre.              m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›